Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniq ka premtuar se do të luftojë informalitetin dhe krimin e organizuar në çdo pëllëmbë të Kosovës.

Ai gjatë një vizite që bëri sot në pikën kufitare të Jarinjës, e që ndodhet në pjesën më veriore të vendit në kufirin me Serbinë kërkoi shtim të inspektorëve që këto dukuri negative të eliminohen.

Krasniqi: Jemi të vendosur që çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës të inspektojmë dhe të luftojmë informalitetin dhe krimin e organizuar

“Kemi dal sot për të parë nga afër për të inspektuar lidhje me gjendjen e kësaj pike doganore. Për të dëshmuar se ne si qeveri e Republikës së Kosovës jemi të vendosur që çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës të inspektojmë dhe të luftojmë informalitetin e dhe krimin e organizuar. Andaj ne nga këtu u njoftuam nga drejtori i kësaj pike doganore lidhur me rrjedhat dhe problematikat që përballet kjo pikë doganore. Ne i sigurojmë që qytetarët se jemi të vendosur si qeveri së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti të luftojnë informalitetin dhe krimin e organizuar në çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ministri gjatë kësaj vizite paraqiti edhe disa nga prioritet e tij sa i përket kësaj fushe.

Krasniqi: Ka nevojë të rritet numri i inspektorëve

“Këto janë luftimi i informalitetit, mbrojta e konsumatorit, prodhuesve vendor dhe një mori çështjesh tjerash. Këtë rast unë jam përkushtuar që edhe vet me ekipe të ndryshme të inspektoratit të jem pjesë e inspektimeve që nga afër se vërtet a po luftohet normaliteti dhe krimi i organizuar. Nga ajo që kemi parë deri tash kemi parë që vërtet ka nevojë të rritet numri i inspektorëve. Kemi një numër jashtëzakonisht të vogël dhe është e pamundur me një numër të vogël të bëhet inspektimi në tërë territorin e Kosovës në çdo kohë. Andaj ne besoj që do të rrisim të ardhmen këtë numër të inspektorëve dhe inspektimet do të shtohen në çdo fushë dhe aspekt”, tha ai.

Ai bisedoi me pjesëtarët e Doganës dhe Policisë së Kosovës, me ç’rast ka përgëzuar ata për punën e tyre profesionale që po bëjnë. Ndërsa, drejtori i kësaj pike kufitare, Burim Gashi kërkoi përkrahje infrastrukturore në këtë pikë kufitare.

Gashi: Kërkoj përkrahje më të madhe sa i përket infrastrukturës

Video:

“Kërkoj përkrahje më të madhe sa i përket infrastrukturës edhe pse dogana është në nivel të kryerjes së detyrës. I kemi pesë oficerë doganor këtu që punojnë 24 orë ndërrim dhe janë në zbatim të kodit doganor të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ministri gjatë kësaj vizite në veri të vendit inspektoi edhe disa pompa të derivateve të benzinës, ku njërës prej tyre i kishte skaduar licenca, por i njëjti tha se do t’i vazhdohet.

Share.