Krerët e institucioneve të Kosovës kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe tek busti i senatorit Bob Dole, i cili vdiq dje. Ata deklaruan se Kosova humbi një prej miqve më të mëdhenj dhe më të jashtëzakonshëm që kishte, derisa u vlerësua kontributi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se senatori Bob Dole ishte me Kosovën edhe atëherë kur shumë kush nuk e dinte për ekzistencën e saj, por edhe në sfidat për liri e pavarësi.

E para e shtetit tha se senatori Bob Dole nuk e la kurrë Kosovën vet dhe se aq sa i ka ndihmuar popullit amerikan që të ecë përpara aq i ka ndihmuar edhe popullit të Kosovës.

“Për t’i thënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm dhe më të mëdhenj që i ka pasur Kosova në historinë e saj, senatorit Bob Dole, i cili u nda nga ne dje duke e lënë jo vetëm Amerikën po edhe gjithë Kosovën të pikëlluar, por në të njëjtën kohë edhe shumë krenarë për miqësinë që e ndërtuam përgjatë dekadave dhe për gjithë përkrahjen që ai i dha popullit të Kosovës në kauzën tonë për liri dhe pavarësi. Senatori Bob Dole ishte me ne jo vetëm në vitet e 90-ta, pra në kohën kur shumë kush nuk e dinte jashtë vendit tonë që edhe ne ekzistonim në hartë, por ishte me ne edhe në sfidat e kohës së pavarësisë por edhe pas pavarësisë, pavarësisht se a ishte në postin e senatorit apo edhe jashtë senatit ai kurrë nuk e ndali përkrahjen për Kosovën… I bashkohemi familjes së tij, i bashkohemi gjithë miqve të tij, i bashkohemi gjithë qytetarëve të ShBA-ve ku ai shërbeu gati 80 vite për ta përkujtuar këtë njëri të madh që nuk na la kurrë vet, e aq sa i ka ndihmuar popullit amerikan që të ecën përpara aq na ka ndihmuar edhe neve”, tha Osmani.

Osmani përmendi që një prej deklarimeve të fundit në rrjetin social Twitter të senatorit Bob Dole ishte pikërisht për Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se përkulen para jetës dhe veprës së senatorit Bob Dole, për të cilin tha se pati një karrierë të bujshme.

“Senatori Bob Dole pati një jetë të gjatë gati një shekull, por edhe një karrierë të bujshme e shumë të lëvdueshme. Qysh në fund të viteve të 80-ta, ai përveçse patriot i madh amerikan, ishte edhe mik i Kosovës dhe i popullit tonë, i cili në atë kohë përveçse i shtypur e i shfrytëzuar, ju nënshtrua edhe një aparteidi pas suprimimit të autonomisë. Senatori Bob Dole ka kontribuar shumë për paqen në Evropë edhe si luftëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, si veteran i luftës, por edhe si politikan i majave më të larta të institucioneve demokratike të Shteteve të Bashkuara. Teksa ai prehet i qetë, ne përkulemi para jetës dhe veprës së tij dhe e kujtojmë me vlerësimet më të larta kontributin e senatorit Bob Dole”, tha Kurti.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova dje humbi një prej miqve më të mirë që e pati, teksa potencoi se senatori Bob Dole ka pasur një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Definitivisht Kosova e humbi në ditën e djeshme njërin prej miqve më të mirë që e pati, senatorin amerikan Bob Dole, i cili ka pasur një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës. Kontributi i tij filloi qysh herët gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë me ç’rast shqiptarët ishin në një gjendje shumë të rëndë dhe ajo për çka kishin më së shumti nevojë është për miq të vërtetë. Dhe atë mik e gjeti në qëndrimet e palëkundshme të senatorit Bob Doll, i cili e ka shtyrë përpara pavarësinë e Republikës së Kosovës. Prandaj, populli i Kosovës, por edhe kombi shqiptar në përgjithësi do të jetë përjetësisht mirënjohës për veprën dhe për kontributin e senatorit Bob Dole”, tha Konjufca.

Bashkë me krerët e institucioneve të Kosovës, homazhe bëri edhe i ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, i cili tha se senatori Bob Dole ishte një mik i madh i Kosovës.

“Senatori Dole kishte një histori të gjatë në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte senator, ai ishte patriot, ai ishte një veteran që shërbeu në Luftën e Dytë Botërore, një pjesë e gjeneratës së artë, shumë anëtarë të së cilës fatkeqësisht po humbasim në këtë kohë, por mbi të gjitha, ai ishte një mik i madh i Kosovës. Ai ishte aty, në kohët më të errëta, është kujdesur për Kosovën, dhe gjithmonë punonte me të gjithë miqtë tanë këtu në Kosovë për më të mirën e vendit. Ai punoi për Pavarësinë, ai ka dhënë këshilla, ai ishte aty duke u siguruar që të kishte mbështetje në Senat dhe në Shtetet e Bashkuara, dhe vlerësoj mirënjohjen e madhe që të gjithë në Kosovë kanë për shërbimin e madh të Senatorit Dole, dhe dua t’i falënderoj të gjithë që e kujtuan atë sot këtu”, tha ai.

Seantori Bob Dole ishte i sëmurë me kancer, ndërkaq të dielën ka vdekur në moshën 98 vjeçare.

Share.