Në 21-vjetorin e vrasjes, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka përkujtuar nënkryetarin e LDK-së Fehmi Agani të vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Mustafa ka thënë se vrasja e Aganit nuk ishte e rastësishme ngase veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale ishte halë në sy për pushtuesin serb.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kujton intelektualin, vizionarin dhe burrështetasin e madh të Kosovës, që jetën ia kushtoi lëvizjes për liri dhe pavarësi. Njerëzit si Fehmi Agani, ndoshta ikin shpejt por veprat që lënë pas mbeten udhërrëfyes për breza të tërë. Ashtu siç thoshte Presidenti Rugova: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij”, ashtu ndihemi edhe ne për personalitetin e jashtëzakonshëm, të Fehmi Aganit. Vepra e tij është trashëgimi dhe vlerë e pakontestueshme e Kosovës dhe LDK-së në veçanti. Rruga intelektuale dhe politike e nisur nga Agani mbetet misioni ynë për t’i kultivuar vlerat demokratike dhe shtet-formuese. Lavdi për jetë, intelektualit të madh, Fehmi Agani”, ka thënë Mustafa.

Agani ishte figura emblematike e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai u vra më 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe, afër Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. / Tv Malisheva

Share.