Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia dhe sovranitet të Kosovës mbi rrjetin energjetik i cili siguron shërbime më të mira energjetike.

Kurti tha se i njëjti mundëson funksionalizmin e interkonjeksionit 400kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë e cila prej më shumë se gjashtë vjet nuk mund të funksionalizohej.

Këto, Kurti i ka thënë gjatë vizitës që e ka bërë sot në KOSTT, bashkë me ministren e Ekonomisë Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.

“Votimin e suksesshëm, të mbështetur nga 22 operatorë të Sistemeve të Transmisionit të Evropës, të ditës së djeshme e cilësoi të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës. Ajo paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia, sovranitet të Kosov ës mbi rrjetin energjetik i cili siguron shërbime më të mira energjetike, dhe i njëjti mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cila prej më shumë se 6 vitesh nuk mund të funksionalizohej. Me këtë votim, KOSTT fiton të drejta të barabartë me homologët në Evropë, dhe kështu shmangim humbjet direkte dhe jo direkte që kishim ndër vite nga mospjesëmarrja në këtë mekanizëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, thuhet se Kurti ka shfaqur besimin e plotë se aktivitetet që paraprijnë hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e të cilat janë kryesisht të natyrës teknike, do të përmbushen në një periudhë shumë të shkurtë.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala tha se sipas këtij votimi, KOSTT dhe Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjet ike Kosovë-Shqipëri.

Ai shtoi se kjo Marrëveshje i hapë rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë./Tv Malisheva

Share.