Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se Dita e Tokës e ka gjetur botën në një situatë jo normale ku po përballen me dy sfida të mëdha, parandalimin dhe luftimin e pandemisë dhe parandalimit të katastrofës mjedisore.

Kurti ka thënë se këto dy sfida e kanë vënë në test edhe Qeverinë e Kosovës dhe kapacitetet e shtetit për të reaguar në situata emergjente e të pazakonshme.

“Siç u sfiduam me pandeminë njësoj mund të sfidohemi me ndonjë katastrofë mjedisore. Është e rëndësishme që të angazhohemi në mbrojtjen e bjeshkëve që janë shkatërruar nga prerjet e parregullta të drunjve dhe nga nxjerrja e gurëve, në ndalimin e degradimit të lumenjve dhe restaurimin e tyre, në kontrollimin e gurëthyesve dhe ndalimin e betonizimit të tokës bujqësore. Kapja e shtetit ka dëmtuar rëndë edhe natyrën. Prandaj, duhet të ndodh çkapja e shtetit për t’u shpëtuar natyra dhe vendi nga ndonjë katastrofë e mundshme ekologjike”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në një status në Facebook.

Ai ka thënë se Dita e Tokës 2020 e ka gjetur Kosovën dhe tërë botën në një gjendje të rëndë.

“Pandemia na ka detyruar të ndalojmë të gjitha aktivitetet. Ndonëse kjo po ndikon negativisht në funksionimin normal të shoqërisë si dhe në zhvillimin normal të ekonomisë vendore e botërore duhet të shohim edhe anën pozitive: atë që mund të jetë një shans për të rivlerësuar e riimagjinuar të ardhmen tonë kolektive, shansin për të krijuar botën e re përmes lidhjes sonë të shëndetshme me natyrën që duhet ta ruajmë”, përfundon Kurti./Tv Malisheva

Share.