Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shkarkuar sot bordet e drejtorëve në ndërmarrje KEK, Ibër Lepenc, ujësjellësin Hidroregjioni Jugor në Prizren dhe dy anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Luljeta Elezaj dhe Teki Shala.

Në mbledhjen e radhës korrespondente nën drejtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, vendimi për shkarkime është marrë duke u bazuar në keqmenaxhimin dhe shkeljet të evidentuara edhe nga raportet e auditimit.

Me po këto vendime, Qeveria ka emëruar bordet e përkohshme të drejtorëve. Në ndërmarrjen publike qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës” janë emëruar

Rrezarta Pllana, kryesuese dhe drejtore, Merita Kasapolli, drejtore, Arbnor Pula, drejtor dhe Bezad Halilaj, drejtor.

Në ndërmarrjen publike qendrore Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” janë emëruar Ajshe Zeneli-Bytyqi, kryesuese dhe drejtore, Alban Fetahu, drejtor, Bekim Selimi, drejtor dhe Nazmi Pllana, drejtor.

Ndërsa në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Prizren janë emëruar Ylber Elshani, kryesues dhe drejtor, Arieta Vula-Pozhegu, drejtore,

Altin Sahiti, drejtor dhe Edmond Halimi, drejtor.

Ndërsa me një vendim tjetër të miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme janë shkarkuar dy anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore në Telekom, Luljeta Elezaj dhe Teki Shala të cilët janë zëvendësuar me Lule Ahmedi dhe Hekuran Nikçi.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve për hua: Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan. Marrëveshja siguron huan në vlerë prej 10 milionë euro për realizimin e këtij projekti dhe afati i kthimit është 30 shtatori i vitit 2033 dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gje-hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja siguron kredinë në vlerë prej 14,6 milionë eurove.

Qeveria ka miratuar edhe dy projektligje për ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për Komunën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në vlerë 500 mijë euro që do të përdoren për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Edhe vendimi për aprovimin e ndryshimeve për regjistrat kontabël të harmonizuar sipas nenit 18 të Ligjit Nr. 07/L-001 për Ndarjet Buxhetore për vitin 2020 ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

Vendimi obligon Ministrinë e Financave dhe Transfereve që regjistrimet kontabël nga ekzekutimi i buxhetit për ministritë e ndikuara nga ristrukturimi të barten te ministria e re për të gjitha kategoritë dhe të regjistrohen sipas ndarjeve buxhetore për vitin 2020 dhe në harmoni me Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe përgjegjësive.

Në mbledhje është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për transferim të mjeteve në shumë prej 820,000 euro nga kategoria e subvencioneve te programi aftësimi specialistik dhe EVM në programin Shërbimet Përkatëse Farmaceutike dhe do të shfrytëzohen për luftimin e pandemisë Covid 19.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit për kompensimin e Viktimave të Krimit në këtë përbërje Ariana Shaikovci, prokurore e Shtetit, anëtare, Donika Kadaj-Bujupi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtare, Xhavit Gashi, ekspert mjekësor nga Oda e Mjekëve të Kosovës, anëtar, Shukrie Statovci, eksperte mjekësore nga Oda e Mjekëve të Kosovës, anëtare dhe Valbona Çitaku, përfaqësues nga shoqëria civile, anëtare./ Tv Malisheva

Share.