Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 244 vjetorin e pavarësisë së ShBA-ve, ka thënë se është mirënjohës e falënderues i Amerikës për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet tona.
Kurti ka shkruar në Facebook se para 244 vitesh u shpall pavarësia e ShBA-ve nga Anglia perandorake. U bashkuan 13 koloni për t’u çliruar duke shënuar në histori kalimin nga monarkia e sundimi në republikë dhe demokraci.
“Barazia dhe të drejtat e njeriut siç i mendojmë sot e kanë burimin nga ajo kohë që nuk rreshti së frymëzuari popuj e lëvizje anembanë globit për liri e drejtësi. Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Revolucioni amerikan është pararendës i anti-kolonializmit në botë. Mirënjohës e falenderues për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet tona, shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohen sot festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve”, ka shkruar ai./ Tv Malisheva