Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Bedri Hamza, se opozita do t’iu ofrojë bashkëpunim dhe se kanë nisur një standard të ri, tha se ky standard ka nisur më 25 mars kur u rrëzua qeveria Kurti në mes të pandemisë.

Ky standard i ri, sipas saj, është për faktin se Kosova për herë të parë ia ka dhënë drejtimin dhe forcën ekzekutive presidentit të vendit.

Kusari: Për herë të parë një qeveri zyrtarisht i ka dhënë forcën ekzekutive presidentit

“Është e vërtetë që Kosova ishte në të gjitha mediumet botërore për të vetmen arsye, për turpin e rrëzimit të qeverisë midis pandemisë. Edhe atë e kemi pasur në Washington Post, New York Times, në të gjitha. Kjo është hyrja në standardin e ri, ky standard i ri u vendos dje dhe ky standard përkon me faktin që në Kosovë për herë të parë një qeveri zyrtarisht ia ka dhënë drejtimin dhe forcën ekzekutive presidentit. Shprehimisht dhe me të gjitha masat dhe në bazë të normave që i prezanton Kushtetuta, presidenti prej sot është i pajisur me drejtimin e ekzekutivit, për arsye se ne e dimë si u votua qeveria. Standard i ri është të dilet publikisht dhe të tregohet që natën i vijnë në shtëpi presidenti edhe ish- kryeministri për ta votuar qeverinë”, tha ajo.

Ajo tha se ‘standard’ i ri është që ditën kur varrosen dy minatorët e vdekur në tragjedinë e Artanës, në Prishtinë shpërthejnë fishekzjarrët për Qeverinë Hoti.

Kusari tha se atë që nuk ka mund ta fitojë me vota, LDK ka arritur ta merr në tavolinë me ndërmjetësimin e presidentit.

Kusari: Ato që LDK nuk i ka marrë me premtime elektorale, i mori me ndërmjetësimin e Thaçit

“Po shihet që ju ka munguar debati dje, pasi e keni pasur ndërgjegjen e vramë se e kemi ditë që atë që s’keni mundur ta merrni me vota, ato që nuk i keni marrë me premtime elektorale, i keni marrë në tavolinë me ndërmjetësimin e presidentit, i cili e ka pasur marrëveshjen gati. I vetmi që ka pasur plan, ju këtu jeni pa plan, ju këtu nuk e keni një ide të qartë për atë se çka ju pret, ato fjalë për të luftuar pandeminë, derisa fjalët për zhvillimin e Kosovës janë pallavra. Kur Kosovës iu ka dëmtuar boshti dhe kjo është sistemi i rendit dhe ligjit, sistemi i rendit kushtetues, këto tjerat janë veç kozmetikë”, tha ajo./Tv Malisheva

Share.