Komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike ka zhvilluar sot primaret, për zgjedhjet e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit më 6 mars, një proces i ngjashëm me primaret në Amerikë.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 17:00, në pesë bashki të vendit, ndërsa në Shkodër, ky proces u mbyll rreth orës 19:00 pasi numri i personave që kërkonin të votonin pas orës 17:00 ishte i madh.
Në bashkinë më të madhe në veri të vendit, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë, i cili në primare ishte më i votuar ndaj rivalëve të tij Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shestani Shala dhe Irma Alushi.
Në bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka, i cili mori më shumë vota në primare se rivalja e tij Silvja Gjepali.
Me një diferencë të madhesh votash nga rivalët në primaret e Lushnjes, fitoi Elton Bano, i cili do të synojë të drejtojë pas 6 marsit këtë bashki. Në profesion, ai është avokat. Ndërkohë, në Rrogozhinë fitues është shpallur Hekuran Xhani, mjek veteriner, i cili arriti të merrte 211 vota nga 316 në total.
Në Vorë do të jetë ekonomisti Lulzim Vrana, ai do të jetë kandidat i Komisionit të Rithemelimit. Pas zyrtarizimit të rezultatit të primareve, ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen në këto zgjedhje për ta pasur të sigurt fitoren.
Në Bashkinë e Dibrës, arsimtari Premtim Kryemadhi do të jetë kandidat i “Rithemelimit” më 6 mars.
Menjëherë pas daljes së rezultateve të primareve, kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi me një deklaratë ku shprehej se as Berishën, as kandidatët e tij nuk i lidh asgjë me Partinë Demokratike. Për Bashën, Rama dhe Berisha po krijojnë një parti të re për të dëmtuar PD-në.
Nuk vonoi shumë dhe për këtë deklaratë reagoi edhe Komisioni i Rithemelimit.
“E mirëkuptojmë mllefin e Lulzim Bravës ndaj votës së lirë që ka zëvendësuar zarfet dhe pazaret, por koha kur kandidatet caktoheshin nga zarfet dhe zgjedhjet shiteshin për pazare ka marrë fund. Sot, për herë të parë, demokratët zgjodhën të lirë kandidatët me të cilët do të përfaqësohen denjësisht në zgjedhjet e 6 marsit”.
Komisioni i Rithemelimit nuk njeh autoritetin e Lulzim Bashës si kryetar të PD, të cilin e ka shkarkuar në kuvendin kombëtar të 11 dhjetorit. Por kryesia e PD-së nuk e njeh këtë komision dhe ka përjashtuar e pezulluar disa deputetë e anëtarë të cilët mbështetën Sali Berishën në nismën e tij./A2