Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese kanë dorëzuar komentet e partisë së tyre rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi me të cilin kishte nominuar Avdullah Hotin për kryeministër.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i cili ishte i shoqëruar nga deputetët Driton Selmanaj dhe Shkemb Manaj tha se nga Gjykata Kushtetuese presin vendin të drejtë dhe në favor të zhvillimit të demokracisë në vend.
Gashi: Nga Gjykata Kushtetuese presim vendim të drejtë që i jep mundësi zhvillimit të demokracisë
“Dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese komentet në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Po ashtu edhe disa prej kolegëve tanë deputet kanë dorëzuar komente individuale lidhur me rastin KU72. Pra rastin që ka të bëjë me masën e përkohshme që e ka vendosur gjykata në dekretin e presidentit dhe tashmë presim gjykimin final për këtë rast. Dhe besoj që do kemi një gjykim të drejtë dhe fer dhe besojmë që Gjykata do i jap mundësi zhvillimit të demokracisë në Kosovë..Besojmë se do jetë në favorin e drejtësisë kushtetuese në aspektin e promovimit dhe zhvillimit të demokracisë në këtë vend”, tha ai.
I pyetur se a ka dërguar komente kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, Gashi tha se këtë nuk e di, por që dërgimi i komenteve është e drejtë e secilit deputet.
Gashi: Nuk e di a ka dorëzuar Osmani komente
“Kryetarja e Kuvendit nuk e di është e drejtë e saj siç është e drejtë e secilit deputet me komentua nga këndvështrimi i vetë juridik dhe kushtetuese lëndë”, theksoi Gashi.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se janë në përfundim të planit qeverisës dhe pakos emergjente, të cilat pritet të votohen në ditët e para pas krijimit të qeverisë.
Ai tha se Avdullah Hoti është i gatshëm që ta marrë detyrën si kryeministër i Kosovës.
Gashi: Jemi në fazën finale të planit qeverisë dhe pakos ekonomike emergjente
“Jemi në fazën finale të përfundimit, besoj që sot ose nesër përfundohet plani qeverisës dhe po ashtu jemi në përfundim të pakos ekonomike emergjente që do të votohet në ditët e para të qeverisë së re. Pra këto dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme këto ditë përfundojnë dhe mendoj se partnerët e ardhshëm qeverisës, kryeministri Hoti është i gatshëm që të marr përsipër trajtimin e këtyre problemeve të rëndësishme për Kosovën dhe do kemi një zgjidhje shumë të mirë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin zhvillimor”, tha ai.
Më 30 prill presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e dekretoi për kryeministër kandidatin e LDK-së, Avdullah Hotin. Më pas Lëvizja Vetëvendosje dekretin e Thaçit e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit vendosinë favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit./Tv Malisheva