Në debatin parlamentar mbi ngritjen enorme të çmimeve të ngritur nga AAK-ja, deputeti i këtij subjekti politik, Pal Lekaj ka thënë se Kosova e përmbylli vitin 2021 duke zënë vendin e dytë me normë më të lartë të rritjes së çmimeve me 4.9 për qind në rajon, ngase në vend të parë qëndron Serbia me 5.7 për qind, Bullgaria 4.8 për qind, Mali i Zi 2.9 për qind dhe Shqipëria 2.5 për qind.
Për këtë, deputeti Lekaj ka kritikuar qeverinë se u tregua pa asnjë moral ndaj qytetarëve që të bëjë plane e strategji për të kaluar krizën mbi rritjen e çmimeve.
Ai ka përmendur se të gjithë artikujt janë shtrenjtuar, duke filluar nga produktet e naftës deri te buka.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës në çdo raport vazhdimisht ka konfirmuar se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit për vitin 2021 është rritur te produktet bazë të konsumit dhe luksit. Realiteti po tregon që tregjet vendore të Kosovës përreth një viti po përballen me një valë të rritjes së çmimeve të të gjithë artikujve, që nga hekuri, gruri, nafta, plastika, energjia, vaj, kafeja, sheqeri e deri te buka. E kjo është duke e bërë të paarritshme shportën familjare për shumë familje, sidomos për kategoritë e skemave sociale dhe të atyre minimale, e njëkohësisht duke rënduar operimin e bizneseve”, tha Lekaj.
AAK në kuadër të këtij debati ka propozuar rezolutë për ngritjen enorme të çmimeve në Kosovë. /TV Malisheva