Lëvizja Vetëvendosje e quan të dëmshme marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë.
Kjo parti marrëveshjen ekonomike të nënshkruar me Serbinë në Uashington e konsideron “nënshtrim pa njohje”.
Me këtë marrëveshje LVV thekson se është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës, e Deklarata e Pavarësisë.
Partia më e madhe opozitare shprehur e bindur se e vetmja zgjidhje është mocioni për rrëzimin e qeverisë.
E meqë sipas tyre edhe PDK e AAK është kundër kësaj marrëveshje, kërkojnë nga këta të fundit përkrahje për rrëzimin e qeverisë aktuale.
Të njëjtit thonë se qeverisja e tyre ardhshme nuk ndien asnjë obligim që t’iu qëndrojë prapa kompromiseve të kryeministrit Avdullah Hotit.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Serbia e ka një ëndërr që të heqë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë pa e njohur shtetësinë e Kosovës. Dhe këtë siç tha ai po e bën për dominim ekonomik me Kosovën.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është mocioni për rrëzimin e qeverisë. Për këtë ka kërkuar edhe përkrahjen e PDK-së dhe AAK-së e që sipas tij këta te fundit janë shprehur kundër kësaj marrëveshje.
Konjufca: Është moment i mirë që të rikthehet në vëmendje mocioni
“Me këso marrëveshje qeverisja e ardhshme e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka dhe nuk ndjen kurrfarë obligimi as ligjor, as kushtetues, e as ndërkombëtar që t’i qëndrojë prapa kompromiseve të këqija të kryeministrit jo legjitim Avdullah Hoti. Po ashtu meqenëse kësaj marrëveshje po i qëndron prapa vetëm gjysma e LDK-së dhe vetëm gjysma e Nismës, pra kaq e ka legjitimitetin e brendshëm kjo marrëveshja. Veç gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës e përkrah këtë marrëveshje. Atëherë kjo është një moment i mirë që ta rikthejmë në qendër të vëmendjes mocionin që duhet t’i bëhet kësaj qeverie ashtu që ta kuptojmë që është koha e duhur që përmes mocionit të rrëzohet në Kuvend të Kosovës një qeveri të tillë. E cila edhe vazhdon me këtë avaz edhe në Bruksel prej këtij takimi që aktualisht është duke ndodhur do të vijnë edhe kompromise më të dëmshme për Kosovën”, tha Konjufca.
Ai e ka quajtur marrëveshjen me Serbinë, “nënshtrim pa njohje”.
Konjufca: Kjo marrëveshje mund të quhet “nënshtrim pa njohje”
“Mua më duket qe kjo ishte një marrëveshje e cila mund të quhet “nënshtrim pa njohje”. Kjo është mënyra më e mirë se si mund të shprehim thelbin politik të kësaj që u arrit mes kryeministrit tonë dhe atë të Serbisë. Së pari tërheqja e kryeministrit Hoti prej njohjes është një lajm i keq për Republikën e Kosovës, sepse kjo i bie që qeveria jonë aktuale i shkon totalisht për shtati kërkesave të Qeverisë Serbisë për heqjen e njohjes nga rendi i ditës. Kosova në anën tjetër nuk ka nevojë të paguajë asgjë për njohjen që do ta bëjë Serbia. Çmimin më të madh ne e kemi paguar gjatë viteve të luftës në Kosovë, gjatë viteve 98-99, me që rast Serbia shkaktoi gjenocid nga Serbia”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas Konjufcës, Kosova nuk duhet të jep asgjë nga shtetësia e vet, në mënyrë që të kompensohet me njohje nga Serbia. Në këtë proces të negociatave ai theksoi se për herë të parë vendosur në tavolinë të bisedimeve tema e resurseve më të rëndësishme që ka Kosova.
Konjufca: Ai që mendon që mund t’i jep resurse Serbisë, bën krim të madh
“E pamë se si në këtë proces të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë fatkeqësisht u hap edhe tema e resurseve më të rëndësishme që i ka Republika e Kosovës. Ujmani e përmban 70 për qind të ujit tonë që e posedon shteti i Kosovës. Për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm si kryeministri Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave dhe që ai të del në tryezën e dialogut. Resurset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës. Dhe ai që mendon që mund t’i jap resurse Serbisë ai e bën një krim të madh. Dhe kjo ndodhi tashmë”, tha Konjufca.
Ndër tjera, Konjufca shtoi se është shqetësuese se si Qeveria e Kosovës pranon që për një vit të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
E ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konsideruar se me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë cenohen dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me integritetin territorial të vendit.
Sipas saj, është bërë shkelje kushtetuese me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Serbinë, më saktësisht në pikën 7 kur flitet për Ujmanin.
Haxhiu: Kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës
“Në pikën 7 të marrëveshjes përmendet dakordimi për studimin e fizibilitetit me qëllim të ndarjes së liqenit të Ujmanit. Termi ndarje që është përdorur në këtë marrëveshje, e ka kuptimin e pjesëmarrjes së Serbisë, dhe pronësinë, kontrollin, menaxhimin e një pjesë të këtij liqeni. I cili liqen derdhet 80 për qind brenda territorit të Kosovës. Është kundër të drejtës ndërkombëtare të ujërave që ujërat territoriale të barten për shtetin tjetër. Kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, konkretisht me nenin 2, paragrafin 2 të saj. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës të përcaktuara në Kushtetutë janë elemente të veçanta të ekzistimit të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndër tjera, Haxhiu tha se kjo pikë e marrëveshjes që ka nënshkruar kryeministri Hoti shkel nenin 122 të Kushtetutës kur flitet për përdorimin e pasurisë dhe burimeve natyrore. Ajo shtoi se njohja ka kuptim vetëm kur ushtrohet sovraniteti në tërë territorin e Kosovës./TV Malisheva