Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka sqaruar se licencimi i Institucioneve Edukativo-Arsimore Parashkollore Private(IEAPP) është kompetencë e tyre.

Sipas këtij sqarimi thuhet se procedurat e licencimit bëhen në disa faza, e që përveç MAShT-it kërkojnë edhe pjesëmarrjen e disa institucioneve publike, siç është Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna përkatëse.

“MASH sqaron se licencimi i Institucioneve Edukativo – Arsimore Parashkollore Private (IEAPP) është kompetencë e saj. Megjithatë, procedura e licencimit ngërthen në vete disa faza, të cilat përveç MASH, kërkojnë dhe pjesëmarrjen e disa institucioneve publike, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna përkatëse. Bazuar në legjislacionin në fuqi, procedurat për licencim janë të ndërlidhura edhe me dhënien e pëlqimit të Institucioneve të tjera publike, nga pëlqimi i të cilave varet pajisja me licencë IEAPP-ve nga ana e MASH”, thuhet në sqarimin e MAShT.

Tutje është sqaruar se nëse institucioni kompetent nuk e jep pëlqimin për plotësimin e kushteve higjienike-sanitare dhe pëlqimin për sigurim nga zjarri, atëherë IEAPP-të nuk mund t’i nënshtrohen tutje procedurave të licencimit.

“Kjo nënkupton se nëse Institucioni përkatës kompetent nuk e jep pëlqimin për plotësimin e kushteve higjienike-sanitare dhe pëlqimin për sigurim nga zjarri, IEAPP-të nuk mund t’i nënshtrohen tutje procedurave të licencimit. Për më tepër, edhe në situatat kur IEAPP-të janë të pajisura me licencë nga MASH, të njëjtat mund të mbyllen nga Inspektorati Sanitar i komunës përkatëse kur konstatohet se IEAPP nuk i është përmbajtur rregullave të lëshuara nga ana e tyre”, bëhet e ditur në komunikatë për media.

Marrë parasysh situatën e krijuar me COVID-19, në këtë sqarim thuhet se të gjitha institucionet publike duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, e që ndërlidhet me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare.

“Marrë parasysh situatën e krijuar me COVID- 19, të gjitha Institucionet publike (përgjegjëse), duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, që ndërlidhet pikërisht me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare. Është kompetencë e autoriteteve komunale, sipas Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2016, që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike-sanitare. Për deklarimin publik ku thuhet se nuk është kompetencë e komunave të mbikëqyrë dhe kontrollojë kopshtet private si dhe komuna nuk posedon listë të IEAPP-ve, MASH njofton se lista e të gjitha IEAPP-ve të licencuara publikohet faqen zyrtare të MASH dhe e njëjta është e qasshme për publikun dhe palët e interesuara”, theksohet në sqarimin e MAShT.

Tutje nga MAShT kanë thënë se do të jenë vazhdimisht në kontakt me DKA-të e që bashkë do të analizojnë gjendjen e IEAPP-ve dhe se do të dakordohen për të zbatuar edhe më tej siç thonë detyrimet që dalin nga legjislacioni në fuqi./Tv Malisheva

Share.