Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka bërë të ditur se nesër do të hapet thirrja për aplikim për fermerët për të gjitha kategoritë dhe kulturat bujqësore në kuadër të Programit të Pagesave Direkte me një buxhet prej 21 milionë euro.

Ai këto komente i bëri sot në ceremoninë e hapjes së Festës për Vjeljen e Rrushit në Komunën e Rahovecit, ku ka vizituar plantacionet me vreshta në këtë komunë dhe ka përgëzuar vreshtarët për punën e tyre në zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive të tyre në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë.

Ministri Peci gjithashtu ka vizituar edhe bodrumet e njohura vendore, si dhe prodhuesit e verës me të cilët ka bashkëbiseduar për nevojat e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë.

Ai ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për vreshtarët më këtë rast i ka ftuar ata që nga e mërkura të aplikojnë për mbështetje në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për 2021.

“Nesër do të hapet thirrja për aplikim për fermerët për të gjitha kategoritë dhe kulturat bujqësore në kuadër të Programit të Pagesave Direkte me një buxhet prej 21 milionë euro, ndërsa në total mbështetja e dhënë nga Ministria e Bujqësisë gjatë këtij viti do të arrijë vlerën 50 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen për vreshtarët”, ka thënë ministri Peci.

Ndryshe, MBPZHR-ja, sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë e përkrahë çdo vit përmes Programit të Pagesave Direkte dhe Programit të Zhvillimit Rural. /TV Malisheva

Share.