Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova është e hapur për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ai në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij austriak Alexander Schallenberg ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë nuk e prek shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“E informuam për zhvillimet në Kosovë, zhvillimet e brendshme dhe në rajon. Shprehëm qëndrimin tonë se ne jemi të përkushtuar drejt integrimit në BE. Ky është një drejtim pa dilema. Po ashtu kërkuam të kemi mbështetjen e Austrisë për liberalizim të vizave. Ne jemi të hapur për vazhdim të dialogut me Serbinë në një marrëveshje detyruese që nuk e prek shtetësinë e Kosovës dhe integritetin territorial tonë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se duhet të ketë një bashkëpunim ndërkufitar dhe rajonal.

“Shpresoj që muajt e ardhshëm do të hapet një dritare dhe gjitha zhvillimet në Kosovë do t’i mbikëqyrim me kujdes”, tha ai.

Duke folur rreth mundësisë së një marrëveshje finale me Serbinë këtë vit, ministri austriak tha se ‘kjo nuk varet nga ne, por e mirëpresim’, teksa idenë për ndryshimin e kufijve e ka quajtur vështirë të pranueshme./ Tv Malisheva

Share.