Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me federatat sportive,

ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me dhjetë federata sportive.

Memorandumet u nënshkruan me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, Federatën e Boulingut, Federatën e Aeronautike, Federatën e Body-Buildingut dhe Fitnesit, Federatën e Autosporteve, Federatën Sportive të Punëtorëve, Federatën e Peshëngritjes, Federatën e Muay Thai, Federatën e Minigolfit dhe Federatën e Kik-Box-it të Kosovës.

Këto marrëveshje bëhen më qëllim të përkrahjes financiare për federatat sportive për të realizuar objektivat dhe synimet që ato kanë planifikuar për këtë vit.

Të gjitha këto memorandume bazë ligjore kanë rregulloren për kategorizim dhe vendimin e ministres Dumoshi për caktimin e vlerës së pikëve.

Dumoshi premtoi se MKRS pas nënshkrimit të këtyre memorandumeve, do të transferojë në xhirollogaritë e federatave këstin e parë për tremujorin e parë që federatat të kenë mundësinë të konkretizojnë fillimin e planit që kanë për këtë vit.

Ndërsa, drejtuesit e federatave e falënderuan ministren Dumoshi për punën dhe përkrahjen që po japin për sportin. Ata u shprehën se do të vazhdojnë të angazhohen për të qenë të gatshëm që me kalimin e pandemisë t’i kthehen edhe më fuqishëm garave dhe sukseseve./ Tv Malisheva

Share.