Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, zhvilloi një takim virtual me përfaqësues të organizatave të skenës së pavarur kulturore, në kuadër të përgatitjeve për hartimin e planit emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, me qëllim të konsultimit rreth ndikimit të situatës së krijuar nga efekti i pandemisë globale COVID-19.
Në takim, ministrja Dumoshi i njoftoi pjesëmarrësit rreth qëllimit të planit emergjent dhe rëndësisë së planifikimit të një procesi transparent dhe objektiv të vlerësimit të përfituesve pas ndarjes së fondit shtesë për MKRS-në.
“Përveç hartimit të Planit Emergjent, ministrja shtoi që MKRS do të angazhohet për vlerësimin e aplikimeve për subvencionet e vitit 2020, në mënyrë që organizatat përfituese të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitete alternative apo të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare. Përfaqësuesit nga skena e pava rur Ares Shporta (Fondacioni Lumbardhi), Edonis Hashani (Termokiss), Florent Mehmeti (Teatri ODA), Nita Zeqiri (Fondacioni 17) dhe Veton Nurkollari (DokuFest) e njoftuan ministren rreth kërcënimeve që kjo gjendje i bën sektorit në afat të shkurtë dhe afat të gjatë, duke rezultuar në shterjen apo anulimin e programeve dhe festivaleve, duke rrezikuar vendin e punës të shumë punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve të skenës, si dhe ekzistencën e shumë organizatave aktive të skenës që operojnë gjatë tërë vitit. Palët po ashtu diskutuan për bashkëpunim rreth programeve digjitale dhe mënyrave alternative për vazhdim të jetës kulturore dhe përshtatje në rrethanat e reja. Pjesëmarrësit u pajtuan që ta koordinojnë komunikimin me organizatat tjera të skenës së pavarur dhe hisedarët kyç, duke ofruar një analizë të rreziqeve dhe kërcënimeve, si dhe rekomandime për planin emergjent në kuadër të grupit punues”, thuhet në komunikatë