Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës Driton Selmanaj gjatë ditës së sotme kanë vizituar Komunën e Suharekës.
Fillimisht ata janë pritur në takim nga i pari i Komunës, Bali Muharremaj në zyrat e komunës ku kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për projektet që MKRS do t’i financojë në këtë komunë.
Pas takimit, Muharremaj dha më shumë detaje rreth këtij memorandumi që sot e nënshkruan.
Muharremaj: Nënshkruam një memorandum për ndërtimin e shtëpisë së Kulturës
“Sapo nënshkruam një memorandum për ndërtimin e shtëpisë së Kulturës, me emrin Ukë Bytyçi vlera e kësaj shtëpie është mbi 3.4 milionë euro, ku sot është nënshkruam memorandumi me 2.6 milionë euro për të filluar punimet përfundimtare për këtë shtëpi. Gjithashtu sot po fillojmë edhe një stadium në fshatin Studenqan që është një kërkesë e kamotshme. Po ashtu do ta vizitojmë edhe stadiumin e qytetit Ballkanit të Suharekës dhe aty do të ketë investime sipas ministres në vlerë prej 200 mijë euro”, deklaroi Muharremaj.
Ndërsa ministrja për Sport, Kulturë dhe Rini, Vlora Dumoshi theksoi se këtë bashkëpunim që kanë me Komunën e Suharekës do ta vazhdojnë edhe më tutje në projekte të ndryshme, si kulturore ashtu edhe sportive.
Dumoshi: Bashkëpunimi me Komunën e Suharekës do të vazhdojë edhe më tutje
“Ne si MKRS bashkëpunojmë me të gjitha komunat. Një bashkëpunim të shkëlqyer kemi edhe me Komunën e Suharekës. Me kryetarin sapo e nënshkruam një memorandum bashkëpunimi i cili është i një rëndësie shumë të madhe jo vetëm për qytetarët e Suharekës por edhe për tërë Kosovën. Kur e dimë që Suhareka ka një trashëgimi shumë të madhe në pjesën e kulturës, në valle dhe në pjesën e teatrit ose dramës ku kemi njerëz të cilët janë të cituar të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, tha Dumoshi.
Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, tha se kanë ardhur në Suharekë për të treguar mbështetjen e madhe që do t’i japë qeveria Hoti kësaj komune.
Selmanaj: Jemi këtu për të treguar mbështetjen e Qeverisë Hoti për Suharekën
“Kemi ardhur këtu në Suharekë për të treguar mbështetjen tonë për këtë qytet. Në fakt Suhareka është një vend relativisht i vogël në aspektin demokratik dhe gjeografik por me vlera shumë të mëdha në aspekt të veçantë në fushën kulturore. Prandaj sot jemi këtu për disa projekte shumë të rëndësishme infrastrukturore që lidhen me kulturën në Suharekë”, tha Selamanj.
Pas nënshkrimit të këtij memorandumi ministrja së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar vizituan pikërisht objektet ku edhe do të investohet./Tv Malisheva