Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore, në cilësinë e mikut të gjykatës, publikoi sot Mendimin Juridik ex-officio nr.148/2020 në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar.
Ky Mendim Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curiae), në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, çështje të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi, është tërheqja e vëmendjes së gjykatave në trajtimin dhe në ndërmarrjen e masave në kuadër të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore në lidhje me përshpejtimin e procedimit të padive me qëllim të realizimit të së drejtës themelore njerëzore, siç është identiteti ligjor për personat e paregjistruar.
Për këtë qëllim Avokati i Popullit këtë Mendim Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës i paraqet Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Pejë, Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, instrumenteve ndërkombëtare, dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të të dhënave që i ka, del se në rastin konkret, mossigurimi i identitetit ligjor të personave në fjalë përmban shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve.
Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit dhe me legjislacionin relevant në fuqi, nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të gjykatave të cilat ndërlidhen me rastet në fjalë.
Sa i përket kësaj çështjeje, në frymën e interesit më të mirë të fëmijëve dhe të personave të tjerë të rritur, Avokati i Popullit rikujton se parimi i shtetit të së drejtës obligon autoritetet publike, përfshirë gjykatat, që t’i kushtojnë rëndësi dhe kujdes të veçantë zbatimit praktik të instrumenteve ndërkombëtare dhe të akteve vendore të kësaj fushe.
Avokati i Popullit inkurajon gjykatën që rastet e tilla të trajtohen me prioritet, në kohë të arsyeshme dhe në mënyrë unike në tërë territorin e Kosovës, pos tjerash, në harmoni me praktikat dhe me standardet ndërkombëtare.
Ky Mendimi Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse dhe i njëjti u është dërguar mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit./Tv Malisheva