Vendi është përballur me një rritje të ndjeshme të rasteve të reja me COVID-19, me dominim të variantit Delta. Arma e vetme për të luftuar këtë sëmundje është vaksinimi. Ndonëse gjatë së premtes u përmenden disa kufizime që mund të kenë të pa vaksinuarit, zyrtarisht ende nuk është njoftuar. Ministria e Shëndetësisë nuk e përjashton mundësinë e kufizimeve, dhe me këtë ide pajtohen mjekët si dhe KMDLNJ që thonë se kjo nuk është shkelje të drejtave të njeriut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se mënyra më e mirë për të siguruar shëndetin e përgjithshëm karshi COVID-19 është përgjigjja vullnetare ndaj vaksinimit.

Sipas tij, varësisht nga shkalla e përfshirjes së popullatës në vaksinim edhe do të ndërmarrin veprime, mirëpo nuk e përjashtojnë mundësinë për kufizim të masave për qytetarët që refuzojnë të vaksinohen.

“Mënyra më e mirë është që qytetarët vetë t’i përgjigjen në mënyrë vullnetare procesit të vaksinimit duke qenë që kështu ata sigurojnë shëndetin e tyre, familjes dhe komunitetit. Normalisht ne shohim praktikat që po i ndërmarrin shtetet e tjera dhe nuk përjashtohet asnjë lloj mundësie që procesi i vaksinimit të rritet, që të kemi përgjigje më pozitive të popullatës, por tani për tani në Kosovë janë duke u administruar dozat e para dhe të dyta ne do shohim dhe do bëjmë analiza të rregullta se cila është shkalla e përfshirjes së popullatës në vaksinim e cila nuk përjashton mundësinë edhe të ndonjë mase restriktive sikur që nuk përjashtohet mundësia edhe të ndonjë mënyre tjetër të bërjes së procesit më atraktiv që qytetarët të kenë më tepër vullnet për t’u vaksinuar. Sepse e dimë është një kategori e qytetarëve që ende hezitojmë të marrin vaksinën por për fat të mirë në bazë të hulumtimeve të Institutit dhe MSh shohim që dita-ditës po zvogëlohet numri i hezituesve dhe po rritet interesimi”, theksoi ai.

 

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj e konsideron plotësisht normale që autoritetet të ndërmarrin veprime kufizuese për qytetarët që refuzojnë vaksinimin anti-COVID.

Tolaj thotë se nëse institucionet shëndetësore vlerësojnë se njerëzit po refuzojnë vaksinimin atëherë duhet të ndërmerren masa detyruese për vaksinim.

“Është plotësisht normale që autoritetet të ndërmarrin veprime kufizuese në jetën e tyre të përditshme por edhe në punë të të gjithë atyre që refuzojnë vaksinimin dhe nuk kanë asnjë arsye për ta refuzuar atë… Nëse njerëzit e pranojnë vaksinimin bëhet më i përshpejtuar sesa që është deri tani atëherë detyrimet nuk janë të domosdoshme, por nëse vaksinimi refuzohet nga njerëzit duke rrezikuar mirëqenien e komunitetit një gjë e tillë duhet të bëhet. Çfarëdo të jenë ato modalitete duhet që të peshohen dhe analizohen… Nuk e kam parë në Kosovë që ekziston një studim se sa për qind e popullatës janë duke refuzuar, gjithashtu numri i vogël i të vaksinuarve deri më tani mund t’i atribuohet edhe mungesës së vaksinave dhe mungesës së rrjetit adekuat të vaksinimit të njerëzve. Njerëzit nuk e kanë pasur aksesin aq të lirë dhe shpesh e kanë pasur të ndërlikuar dhe rrjedhimisht kjo mund të jetë një pengesë e tillë. Nëse vlerësohet në bazë të të dhënave se njerëzit po e refuzojnë vaksinimin për shkak të bindjeve të tjera dhe se vaksinimi nuk do ketë suksese për shkak të këtij refuzimi atëherë autoritetet duhet të përgatiten dhe të aplikojnë masa detyruese për vaksinim”, theksoi Tolaj.

Por internisti Driton Vela vendosjen e kufizimeve për qytetarët që nuk duan të vaksinohen kundër COVID-19 e sheh si një opsion të fundit që duhet ta ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo, nuk e përjashton mundësinë që praktika të tilla të përdorë edhe Kosova në një të ardhme të afërt.

“Mendoj se ky duhet të jetë opsioni i fundit nëse institucionet e shohin të arsyeshme që ka stagnuar procesi i vaksinimit dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve, sigurisht që duhet të merren hapa të tillë nëse vendet me një traditë të shtet-bërjes dhe demokracisë veçse kanë bërë këso masa pse jo në një të ardhme të afërt ose të largët ta bëjë edhe Kosova të ndërmarrë masa të tillë nëse e mbrojmë më tepër shëndetin e qytetarëve, nuk jam kundër nëse do shpëtojmë jetë njerëzish me veprime të tilla sidomos kjo do vlente për ato profesione që janë në vijë të parë të frontit si stafi shëndetësor, mësimdhënësit e të tjerë”, deklaroi internisti Vela.

Vendosja e masave kufizuese për qytetarët që refuzojnë të vaksinohen e kanë përkrahur edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Kryetari i KMDLNJ, Behxhet Shala thotë se çdo veprim që ndërmerr shteti në mbrojtje të qytetarëve është në përputhje me të drejtat e njeriut.

“Nëse shteti apo institucionet përkatëse brenda shtetit siç është MSH në Kosovë dhe IKSHP e vlerësojnë që duhet të ndërmerret ndonjë masë ashtu duhet të bëhet… Tani kur ka vaksina sa të duash tash është një lloj hezitimi i qytetarëve që të vaksinohen për faktin se kanë lindur fjalët për dëmet anësore, fjalët kanë ndikuar që përsëri të vijmë në një situatë ku numri i të prekurve tash nga varianti Delta është në rritje dhe askush nuk mund ta parasheh nëse nuk ndërmerren veprimet e menjëhershme se çka do të ndodh në të ardhmen. Pra, çdo veprim që shteti e merr në mbrojtje të qytetarëve pavarësisht asaj masave kufizuese sepse pa marr masa kufizuese nuk mund ta luajë rolin e gjyqtarit, është në përputhje me të drejtat e njeriut, qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe të vaksinohen”, u shpreh Shala.

Në vendin tonë vetëm në 24 orët e fundit pozitivë me koronavirus kanë rezultuar 271 persona. Ndërsa, mbi 478 mijë qytetarë janë vaksinuar që nga fundi i marsit të këtij viti kur ka nisur vaksinimi në Kosovë. Me dozën e parë janë imunizuar mbi 312 mijë qytetarë, ndërsa edhe dozën e dytë është administruar tek 165 mijë banorë. /TV Malisheva

Share.