Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka akuzuar sot Beogradin zyrtar për destruktivitet në procesin e dialogut në Bruksel.

Ai për RTV21 tha se Serbia po provokon marrëveshjen e Uashingtonit dhe e cilësoi këtë si një eskalim të ri nga ana e Beogradit zyrtar.

“Në Bruksel po dialogohet për njohje reciproke bazuar në platformën e Qeverisë, të cilën e ndjek kryeministri Hoti. Kjo është qasja e Kosovës, por duket se kjo nuk është qasja e Serbisë. Qeveria e Serbisë u betua gjatë zgjedhjes së saj se do ta ruajë Kosovën. Nuk ka pasur reagime të BE-së për këtë veprim që është edhe provokim për dialogun dhe provokim edhe për marrëveshjen e Uashingtonit. Është një eskalim i ri i Serbisë, i cili vë në pikëpyetje konstruktivitetin e tyre në procesin e dialogut”, tha Mustafa.

Ndryshe, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq deklaroi sot se nuk mund ta pranojnë qëndrimin e Prishtinës zyrtare, se pas njohjes nga Serbia, do ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Madje, duke folur për asociacionin, ai tha se ‘dreqi qëndron gjithmonë brenda në detaje.’

Share.