Kryetari i LDK-së Isa Mustafa sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Skender Hysenin, koordinator shtetëror për dialog.
Ai me këtë rast ka shprehur përkrahjen e tij dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
“Dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke”, shkruan Mustafa në Facebook.
Sipas tij, është për t’u vlerësuar deklarimi i qartë nga takimi i koordinatorit shtetëror Skender Hyseni me Philip Reeker, asistent sekretar kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, që dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut.
“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme kryeministrit Hoti, Qeverisë, presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e çojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, ka thënë Mustafa