Në kuadër të pasurimit të fondit muzeor, Muzeut të Kosovës sot i është dhuruar “Veshja e Rrafshit të Dukagjinit”, veshje kombëtare e njohur si “Veshja e katundit”, punuar nga Zejnepe Demaj-Beqiraj.

Veshja është punë dore e punuar në tërësi me kërrabëz dhe gjilpërë, e cila është punuar në vitet 1965-66 të shekullit 20, kur autorja e kësaj veshjeje ishte 21-vjeçe.

Veshjen, ministres Vlora Dumoshi ia dorëzoi e bija e autores, Gjylshane Beqiraj.

Me këtë rast, ministrja e vlerësoi këtë si një gjest të madh nga ana e familjes së zonjës Zejnepe, që punën e saj t’ia dorëzojë institucioneve.

“Ne si ministri në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës do të kujdesemi për veshjen në fjalë që ajo të ketë hapësirën e përshtatshme për ekspozim ashtu që të prezantojë kulturën tonë, punën e nënave tona”, tha Dumoshi.

Ajo u shpreh se rastet e këtilla kur qytetarët mendojnë për forcimin e institucioneve meritojnë falënderim dhe mirënjohjen më të madhe të mundshme.

Ndryshe, Zejnepe Demaj-Beqiraj u lind më 25 qershor 1945, në Radavc të Pejës. Në vitin 1965-1966 ishte gati 21-vjeçe, e fejuar në Staradran të Istogut dhe bëhej gati për martese. Në këtë periudhë e ka punuar këtë veshje kombëtare, e njohur si “Veshja e Rrafshit te Dukagjinit”./Tv Malisheva

Share.