Shoqata e cila merret me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve “SHQNGL”, ka pezulluar përkohësisht protestën e paralajmëruar për sot.
Kjo vije pasi të njëjtit kanë marrë premtime nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë se do të shikohet mundësia që të bëhet shfuqizimi i disa neneve të udhëzimeve administrative që kjo shoqatë po i kundërshton.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës ”SHQNGL”, tha se janë kundër udhëzimeve administrative që bëhen pa prezencën e palëve të interesit. Ai ka treguar se cilat nene të udhëzimeve administrative kërkojnë që të shfuqizohen, pasi sipas tij, këto po i dëmtojnë si bizneset.
Berjai: Morëm premtimin nga kryeministri se në qeveri këto punë do të realizohen
“ne nuk jemi kundër standardeve të Bashkimit Evropian, ne jemi kundër udhëzimeve të cilat bëhen pa prezencën e palëve të interesit. Një prej tyre janë kalibrimi i agregateve i cili ka qenë 10 euro dhe u rrit 26 euro, pastrimi i rezervarëve çdo tri vite që kurrkund në botë nuk bëhet, kontrolli i cilësisë të cilën ka qenë nën juridiksionin e Doganës ne kemi kërkuar t’i kthehet Doganës jo në Ministrinë e Tregtisë sepse bizneset nuk kanë kosto dhe cilësia është qind për qind më e mirë. Në fund edhe kërkesa udhëzimi i cili është bërë për markimin ngjyrosjen e derivateve ne nuk jemi kundër po kërkojmë që këtë punë ta kryejnë Doganat siç e kryen në tërë Evropën… Ne kërkuam nga kryeministri sot që derisa të anulohen të shfuqizohen nenet e caktuara të cilët e dëmtojnë biznesin dhe e rëndojnë biznesin në këtë kohë pandemie. Morëm premtimin nga kryeministri se në qeveri këto punë do të realizohen sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Kryetari i këshillit protestues së kësaj shoqate, Tahir Zogaj, tha se pas marrjes së premtimeve që kërkesat e tyre do të merren parasysh përkohësisht do të anulohet protesta.
Megjithatë, ai tha se nëse nuk do të shohin reflektim brenda disa ditëve nga ana e institucioneve do ta mbajë protestën.
Zogaj: Për momentin ta anulojmë protestën
“Në takim me ministrin ai tha se do të bëhet komisione prapë të rishikohen këto nene, na premtojë se do të rishikohen. Ne si këshill protestues kërkuam që këto të pezullohem ose të shfuqizohen deri në ripërtëritjen e këtyre neneve të cilat janë konform udhëzimeve ndërkombëtare. Nuk po kërkojmë diçka, nuk jemi kundër pastrimit të rezervuarëve, nuk jemi kundër kalibrimit, nuk jemi kundër shënimit, por jemi kundër mënyrës së cilës e kanë përzgjedhur MTI me këto udhëzime administrative…Ne nuk po kërkojmë shfuqizimin e të gjitha udhëzimeve, vetëm nenet të cilat e dëmtojnë pikërisht sektorin e naftës dhe konsumatorin dhe morëm vendim bashkë me kryetarin e Shoqatës që për momentin ta anulojmë protestën të cilën kemi menduar ta bëjmë qysh sot, po pas takimit me ministrin dhe kryeministrin të shikojmë çka po reflektojnë, vetëm ta anulojmë për momentin, nuk e kemi pezulluar komplet për një afat të pacaktuar, do t’iu njoftojmë edhe juve kur në cilën datë do të bëjmë protestën nëse nuk reflektohet në këto tri udhëzime”, tha ai.
Kërkesat e kësaj shoqate i ka quajtur legjitime edhe kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishi, i cili tha se mbështesin kërkesat e tyre.
Kurtishi: Ne si Odë Ekonomike sigurisht që mbështetim edhe më tutje kërkesat legjitime
“Ne si Odë Ekonomike sigurisht që mbështetim edhe më tutje kërkesat legjitime të sektorit privat, është mirë kur në saje të një dialogu të avancuar publiko-privat sot kemi edhe anulimin apo pezullimin përkohësisht të protestës së Naftarëve. Nuk është mirë që qeveria t’i pret shoqatat e caktuara të dalin në protestë për të adresuar çështjet dhe për të zgjidhur problemet, është një vendim i mirë”, tha ai.