Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërije Nagavci dhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kanë zhvilluar një debat me akuza e kundërakuza në seancën plenare rreth marrëveshjeve ndërkombëtare financiare.
Nagavci ka akuzuar Gashin se pikërisht ky deputet ka qenë kundër marrëveshjeve ndërkombëtare në kohën sa kanë qenë në koalicion me VV-në.
Derisa deputeti Gashi ka thënë se nënkryetarja e Kuvendit, Nagavci nuk e ka kuptuar ende se si funksionon kuvendi.
Ai pret që deputetët e VV-së t’i votojnë marrëveshjet në interes të Kosovës, pasi siç tha “ju e doni Kosovën”.
Gashi: Pres që VV t’i voton marrëveshjet në interes të Kosovës, sepse ju e doni Kosovën
“Sa i përket zonjës nënkryetare e Kuvendit, po më duket është nënkryetare e kuvendit, por nuk e ka kuptuar ende mirë se qysh funksionon kuvendi. Unë jam i asocuar në kryesinë e kuvendit, nuk jam anëtar i kryesisë, nuk votoj unë aty. Ju keni marrë vendim mos me i trajtuar këto çështje. Ju keni votuar aty qysh me vepruar. Pra, unë kam konstatuar atë ditë se është antikushtetuese që qeveria e shkarkuar të cilës kuvendi ia ka hequr besimin dhe të jap mendim për çështjet të caktuara për kuvendin. Jam i të njëjtit mendim edhe sot, pra që të jemi të sinqertë të gjithë ato që i deklarojmë dhe mënyrën se si veprojmë t’i kemi parasysh se kush është në fuqi vendim-marrëse në institucion dhe kush çka përfaqëson. Pra, unë kam përfaqësuar grupin parlamentar të LDK-së, duke përfshirë zonjën Osmani dhe Kujtim Shala si anëtar i kryesisë, dhe kam thënë në emër të GP të LDK-së përfshirë edhe dy të apostrofuarit që ne nuk përkrahim si GP idenë që të kërkojmë mendimin nga Qeveria dhe idenë tjetër që qeveria të na qoj propozim-ligje, sepse jemi në proces të formimit të një shumice të re. Kjo është e vërteta që është zhvillua në mbledhje. Pres që ju gjithsesi i përkrahini këto marrëveshje në interes të Kosovës, sepse ju e doni Kosovën”, theksoi Gashi.
Nënkryetarja Nagavci ka theksuar se deputeti Gashi ka qenë i zëshëm që të rrëzohet qeveria Kurti, dhe të mos të trajtohen asnjë prej marrëveshjeve ndërkombëtare.
Nagavci: Deputeti Gashi ka qenë kundër marrëveshjeve ndërkombëtare
“Është e pa vërtet s Gashi kjo që deklaruat, dhe po unë e di se ju nuk keni të drejt vote, por ju e dini se keni qenë më i zëshmi në ato mbledhje të Kryesisë që të mos lejoni që këto marrëveshje të vijnë dhe të trajtohen në seancë. Pra, ju keni qenë kundër dhe po flisni të pa vërteta kur theksoni se Kushtetuta e ndalon. Në asnjë nen të saj kushtetuta nuk e përmend që qeveria nuk ka të drejt të sjell projektligje apo marrëveshje në këtë rast. Kushtetuta është e heshtur dhe ju po flisni të pa vërteten. Pra, ju keni qenë i zëshëm që të rrëzoni qeverinë, ju keni qenë i zëshëm që mos të trajtoni asnjë prej marrëveshjeve dhe sot si shef i grupit parlamentar që keni krijuar këtë qeveri jo legjitime, urdhëroni votoni marrëveshjet nëse i keni votat dhe vazhdojmë tutje”, theksoi Nagavci.
Gashi po ashtu iu ka premtuar opozitës se brenda ditës, sot do të nxjerrin listën e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës atëherë në opozitë në periudhën 2017-2019 I ka votuar./Tv Malisheva