Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci ka akuzuar Qeverinë Hoti dhe presidentin Hashim Thaçi se me pranimin e ftesës së emisarit amerikan Richard Grenell për vazhdim të dialogut me Serbinë, kanë hequr dorë nga anëtarësimi i vendit në organizatat ndërkombëtare.

Sipas Nagavcit, qeveria aktuale nuk është e interesuar për dialog, por dëshiron të përmbyllë marrëveshjen, e cila sipas saj, është dakorduar nga presidenti Thaçi.

“Serbisë as që i duhet të punoj më për përmirësimin e pozitave të saj negociuese, ajo ka Qeverinë jolegjitime të Thaçit dhe vetë Presidentin e Republikës së Kosovës që angazhohen për të. Kjo Qeveri jolegjitime as që është e interesuar për dialog, këta duan vetëm të përmbyllin marrëveshjen, ashtu si e ka dakorduar e deklaruar presidenti Thaçi. E qartë se Thaçi ka planet e tij, e të tjerët janë koti aty, thjesht të zbatojnë planin”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Kryeministri i Qeverisë ilegjitime e ilegale, heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë e ka ndër vendimet e tij të para. Saktësisht ashtu si kishte kërkuar ai që i krijoi Qeverinë, pra Presidenti Thaçi.

Pasi e zhveshi Republikën e Kosovës nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror, bashkë me Presidentin po angazhohen që vendimin i radhës të jetë heqia dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq , ndërkaq sot ka deklaruar se njohja e Republikës së Kosovës, nuk do të jetë temë diskutimi në Shtëpinë e Bardhë.

Serbisë as që i duhet të punoj më për përmirësimin e pozitave të saj negociuese, ajo ka Qeverinë jolegjitime të Thaçit dhe vetë Presidentin e Republikës së Kosovës që angazhohen për të.

Kjo Qeveri jolegjitime as që është e interesuar për dialog, këta duan vetëm të përmbyllin marrëveshjen, ashtu si e ka dakorduar e deklaruar Presidenti Thaçi.

E qartë se Thaçi ka planet e tij, e të tjerët janë koti aty, thjesht të zbatojnë planin./Tv Malisheva

Share.