Në komunën e Lipjanit janë rritur kërkesat e qytetarëve për teste rapide. Brenda ditës në Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë po bëhen deri në 200 këso lloj testesh. Ndërsa, edhe interesimi për vaksinim kundër COVID-19 është mjaft i madh dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 26 mijë qytetarë.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, i cili tha se gjendja momentale me pacientë në këtë QKMF është e menaxhueshme.
Ai thotë se në repartin ku po marrin terapi pacientët e infektuar me koronavirus janë në dispozicion 8 shtretër.
“Gjendja momentale në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është duke shkuar mirë dhe duke u menaxhuar për arsye se kemi hapësira deri tani të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve me COVID. Momentalisht kemi në dispozicion 8 shtretër, ku fluksi i pacientëve ka filluar gradualisht të bie dhe pritja është më e vogël për të marrë trajtim. Mirëpo, ky shërbim funksionon deri në orët e vona pas mesnatës deri në orën 02:00 për arsye se pacientët kanë të përshkruar terapi paranterale edhe tri herë në ditë… Kapacitetet që i kemi në dispozicion janë të mjaftueshme për këtë fluks sa është deri tani”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi thotë se shpërthimi i variantit ngjitës delta edhe në Kosovë ka rritur kërkesat e qytetarëve për teste rapide, të cilat janë shpërndarë tashmë në të gjitha QMF-të e kësaj komune.
“Për teste ka kërkesa shumë për këtë arsye duke pasur një numër më të madh të pacientëve për t’u përfshirë në testim. Ne kemi shpërndarë në të gjitha punktet shëndetësore që i ka komuna e Lipjanit teste të tilla rapide, antigjen….Numri i testimeve në ditë është afërisht rreth 200 dhe çdo ditë raportohen në Instituti Kombëtar Publik rastet që kanë rezultuar pozitive”, tha ai.
Edhe në komunën e Lipjanit thonë se procesi i vaksinimit po shkon mirë. Deri më tani janë vaksinuar mbi 26 mijë lipjanas, derisa brenda ditës në qendrën e vaksinimit në këtë komunë po imunizohen deri në 900 persona.
“Në bazë të raportit që sot pranova nga shefi i vaksinimit, deri tani janë vaksinuar 26 mijë e 186 qytetarë. Është një numër relativisht i ngjashëm në Kosovë që sillet karshi numrit të banorëve… Interesimi për vaksinim i qytetarëve është shumë i mirë. Një kohë nuk ka qenë i mundshëm të bëhet apo kështu kemi marrë informata nga qytetarët se ka qenë i vështirë qasja për të bërë terminë… Sipas normës, diku 800-900 vaksina administrohen brenda ditës që janë me terminë të plota, por pasi ka pasur numër të vogël të terminëve, ka qenë numër më i vogël i të vaksinuarve”, u shpreh drejtori i QKMF-së në Lipjan.
Lidhur me rastin ku një pacient mori trajtim mjekësor jashtë ambientit të QKMF-së në Lipjan, drejtori i kësaj qendre Agim Krasniqi thotë se tashmë Komiteti për Cilësi në këtë Qendër po merret me rastin.
“Komiteti për Cilësi është duke bërë vlerësimin e kësaj situate dhe eventualisht nëse ka procedura tjera nëse ka për vazhdim të Komisionit Disiplinor apo hapa tjera do të vendosë ky Komitet, i cili është kompetent për vlerësimin e komplet situatës. Në fund do të jep vlerësimin në bazë të gjetjes që ka bërë janë duke u intervistuar edhe punëtorët por dhe materialet tjera kamerat e gjitha këto…Si profesionistë shëndetësorë, mendimi im është që në asnjë mënyrë nuk duhet të trajtohet pacienti jashtë ambienteve institucionale pa marr parasysh gjendjen e pacientit a është e lehtë pa vështirë, është veprim që nuk guxon dhe nuk duhet të përsëritet nga asnjë profesionistë shëndetësorë apo kushdo tjetër, hapësira ka pasur mjaftueshëm gjendja e pacientit nuk ka qenë shëndetësore që mos të presë 15 minuta apo gjysmë ore”, tha ai.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi thotë se janë mirë të furnizuar me barna nga lista esenciale, por terapitë që nuk janë pjesë e kësaj liste pacientët duhet t’i sigurojnë nga xhepi i tyre.
“Materialet si sistemet, infuzione e ato nga lista esenciale shumicën, sidomos për infuzione NaCl, glukozë e të tjera, kemi mjaftueshëm pasi furnizohemi nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga mjetet vetanake. Praktikisht është e pamundur që të mbulohen të gjitha ato çka shkruhen terapitë sepse pacientët me COVID dhe pa COVID vizitojnë edhe ordinanca private, edhe spitale të ndryshme dhe bëjnë përshkrimin e terapisë, andaj nuk është e mundshme të mbulohet terapia e pacientëve, andaj ato që nuk janë në listën esenciale edhe detyrohen t’i blejnë”, tha Krasniqi.
Situata pandemike me COVID-19 në vend vazhdon të jetë e rëndë, kur vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 22 qytetarë, ndërsa 1894 kanë rezultuar pozitivë. /TV Malisheva