Tetë kontrata në procesin e privatizimit të tokës në pronë shoqërore janë shitur me çmimin prej 2 euro ari.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor për hetimin e procesit të privatizimit.
Gjatë intervistimit për dy orë e gjysmë, drejtori Tolaj po ashtu ka pranuar se ka të punësuar në AKP familjarë të VV-së dhe AAK-së, ndër ta edhe vajza e ministrit të tanishëm Blerim Kuqi, Emirë Kuqi.
Tolaj: Në tetë kontrata figurojnë çmimi i shitjes së tokës nga 2 euro ari
“Pas dëshmisë në Komision, unë jam interesuar si drejtor menaxhues i Agjencisë dhe nuk rezulton se që nga viti 2008 AKP ka shitë tokë me 1 euro ari. Të paktën ne nuk kemi kontratë që nga koha kur AKP menaxhohet nga institucionet e Kosovës nuk ka ndodhë të nënshkruhet një kontratë me çmimin prej 1 euro. Ekzistojnë para vitit 2008, unë me vete I kam nga 818 kontrata të cilat janë të nënshkruara për prona bujqësore. Për korrektësi të publikut dhe Komisionit kontrata nga 818 me çmimin deri 2 euro janë vetëm 8 kontrata. Por, ne kemi kontratë edhe 127 mijë euro ari që është shitë. Pra, nëse ka kontratë me 1 euro ari, ka kontratë që është shitë edhe 127 mijë euro ari”, theksoi Tolaj.
Kryesuesi i Komisionit Hajrullah Çeku po ka thënë se sivjet gjatë pandemisë, AKP ka privatizuar tokë afër rrugëve magjistrale prej 11 deri 18 euro.
Çeku: Në kohën e pandemisë AKP shiti toka bujqësore nga 11 deri 18 euro për një ari
“Kam një listë të shitjeve që kanë ndodhur në vitin 2020, tokat që janë afër rrugëve magjistrale që nuk janë zona të thella këto. Ka raste të shitjes me 11 euro për një ari. Më 6 mars 2020 po ashtu me 11 euro një ari. Prapë, më 28 mars 2020 me 15 euro një ari. Më 18 maj 2020 po ashtu 17 euro ari. 15 euro ari po ashtu më 18 shkurt 2020. Pra, ka shumë shitje të tokave bujqësore, në periudhën e parë të pandemisë, ndërsa ju keni vazhduar aktivitetin edhe janë shitë shumë toka me çmime 11, 15, 18 euro më e larta për ari”, theksoi Çeku.
Privatizimin në pandemi, gjatë izolimit e ka mohuar Tolaj, duke thënë se në kohën e pandemisë nuk kanë ndodhur shitjet për shkak se nga muaj shkurt, qeveria e kaluar ka nxjerrë një vendim për pezullimin e shitjeve nga AKP.
Përplasje e deputetëve të AAK-së dhe VV-së ndodhi pasi deputeti Hekuran Murati ngriti çështjen e punësimeve partiake në AKP.
Deputeti nga VV, Murati përmendi edhe emrin e vajzës së ministrit Blerim Kuqi, Emirë Kuqi dhe Binak Vishaj nga AAK të punësuar në AKP.
Murati: Emirë Kuqi, bija e ministrit Blerim Kuqi është punësuar në AKP
“A jeni të njohur me emrin Emirë Kuqi, nëse nuk gaboj është staf në AKP. Emirë Kuqi është punësuar në fillim të këtij viti në pozitën zyrtare e financave dhe buxhetit. Zonja Emirë Kuqi me sa kam parë është e bija e ministrit të tanishëm Blerim Kuqi”, ka pyetur deputeti Murati.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i cili përmendi edhe emrat e të punësuarve në AKP që janë familjarë të VV-së.
Madje, deputeti Berisha pasi e quajti ish kryeministrin Kurti ‘shpata e drejtësisë”, tha se nuk po arrin me kuptuar atë për nepotizëm.
Berisha: Albin Kurti ‘shpata e drejtësisë’ me ndikuar në punësime s’po mund ta kuptoj
“E kuptoj pretendimin e deputetit Murati për me përmend emra ashtu qysh është mësuar. Prej fillimit që e mbaj mend në politikë, ky dinë me t’i gjetë ku i ke tezet, dajtë, pra, me këtë punë merret. Ylli Kaloshi është djali i Hydajet Hysenit, Tereza Hajdari është kunatë e ish ministres Rozeta Hajdari, Nerminë Pakashtica ‘balldyzka’ e Kurtit. Besa Belegu qenka vajza e hallës së Mimoza Kusarit. Nëse vazhdon kështu, unë sa herë te marrë fjalën kam me t’i përsërit këta emra. Hekuran ndërro qasjen pak. Albin Kurti shpata e drejtësisë, e me shti aty në punë, ndikim politik. Edhe nuk po besoj”, tha Berisha.
Punësimet në AKP që janë të afërt me partitë e VV-së dhe AAK-së, i pranojë edhe Tolaj.
Tolaj: E konfirmoj se ka të punësuar në AKP familjarë të VV-së dhe AAK-së
“Meqenëse po më futeni në këtë situatë, po e konfirmojë të gjitha ato çka u ngritën nga deputeti Murati për emrat e familjarëve edhe deputeti Bekë Berisha. Po, ka persona që janë punësuar, janë kolegë shumë të mirë dhe janë staf I Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kaq mundem me thënë”, tha Tolaj.
Ndërsa, sot intervistimi i ish-drejtorit të AKP, Ekrem Hajdari është shtyrë për një ditë tjetër, për shkak vazhdimit të seancës plenare në Kuvend.