Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka falënderuar ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – NR. 01 / 2020, për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ nr. 10/2010 për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrative Nr. 41/2006 për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore duke kërkuar që edhe këto të ndryshohen në interes të zhvillimit të vendit.
Me këtë iniciativë, kufizimi i hapësirës prej 5 hektarë rritet në deri 20 hektarë si dhe kufizimi i kohëzgjatjes së licencave nga 5 vjet rritet në përputhje me licencat e lëshuara nga KPMM.
OAK kërkon nga MBPZHR që të procedojë sa më parë në Parlament Projektligjin për Pyje i cili do të kontribuonte në eliminimin edhe të barrierave të tjera të cilat hasin bizneset e këtyre sektorëve gjatë operimit të tyre.
Kërkesa të tjera të OAK-së për zgjidhje të problemeve biznesore është ulja e kostos së qirasë prej 2000 euro për hektarë në vit, që është shumë e lartë si dhe rregullimi i çështjes që mos të bëhen dy sigurime për të njëjtën sipërfaqe, pasi që momentalisht bizneset detyrohen të paguajnë sigurimin në APK dhe në KPMM, pasi që nxjerrja e dy garancive të ndryshme bankare krijon shpenzime të dyfishta dhe të pa nevojshme për operatorët ekonomikë.
OAK do të lobojë vazhdimisht për propozimin e alternativave për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset dhe në mënyrë që bashkarisht të tejkalohen barrierat të cilat hasin operatorët ekonomik.
Ndryshe, OAK së bashku me bizneset është duke lobuar vazhdimisht në ndryshim- plotësimin e udhëzimeve administrative, të cilat ka më shumë se 10 vjet që janë duke i dëmtuar bizneset e sektorit të bujqësisë, blegtorisë, minierave, turizmit dhe investimeve./Tv Malisheva