Oda e Afarizmit të Kosovës ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, përmes së cilës OAK do të shkëmbejë të dhënat dhe dokumentacionin që ka në dispozicion, do të bëhet nxitja e bashkëpunimit tregtar të kompanive anëtare përmes korrespondencës dhe afrimit të kompanive në sferat e biznesit ku operojnë dhe të dy palët do të asistojnë në analizën e nevojave të tregut, duke siguruar kontakte dhe të dhëna që janë në dispozicion të palëve.

Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi palët u dakorduan të zhvillojnë strategji për qasje në punë dhe bashkëpunim në të ardhmen.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi theksoi se ideja e kësaj marrëveshje të bashkëpunimi është që gjejë zbatim praktik, duke rritur edhe më shumë bashkëpunimin tregtar.

Ndërsa kryetarja e U.C.C.I.AL-së Ines Muçostepa falënderoi OAK-në me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të bashkëpunimit, duke potencuar se kjo marrëveshje do t’i hapë rrugë edhe më shumë bizneseve tona.

Share.