Opozita po hedh dyshime se ka doza të vaksinave që u ka skaduar afati dhe një gjë të tillë po e mban të fshehtë Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu, deputetë të partive opozitare në Komisionin parlamentar për Shëndetësi kanë deklaruar se institucionet shëndetësore po zvogëlojnë numrin e testimeve me qëllim që të prezantojnë të dhëna jo të vërteta.

Në Komisionin për Shëndetësi të mërkurën është diskutuar për situatën me pandeminë, pas rritjes së numrit të rasteve të infektuar me variantin Omicron. Anëtarët e pozitës kanë deklaruar se situata është nën kontroll, por që me këtë nuk është pajtuar opozita.

Kryetarja e komisionit, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se nuk ka vend për shqetësim, megjithatë ajo ka propozuar që duhet të raportojë ministri i Shëndetësisë, drejtori i IKShPK-së dhe ai i ShSKUK-së.

“Aktualisht janë mbi 700 raste ditëve të fundit, brenda ditës në bazë të testimeve që kanë rezultuar pozitiv. Kryesisht është varianti Omicron, por ka edhe raste me variantin Delta. Tani për tani në bazë të të dhënave që kam marrë, raporti i fundit janë 90 pacientë që po trajtohen, prej tyre janë 52 që janë të konfirmuar si COVID pozitiv. Kjo është gjendja në Qendrën Klinike Universitare dhe gjitha spitalet regjionale, ku ka ende shumë kapacitete të pashfrytëzuara që në fakt tregon që për momentin nuk ka vend për shqetësim të madh”, është shprehur kryetarja e këtij komisioni.

Në anën tjetër, anëtari opozitar Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo situatë është alarmante.

“Kjo është e papranueshme që institucionet shëndetësore me ra në ndikim politike për të prezantuar rrejshëm situatën pandemike. Në vend se pozitiviteti i rasteve është më i lartë dhe të bëhen testime, shkohet në pikun e pandemisë të zvogëlohet numri i rasteve të testimeve dhe gjoja me paraqit një situatë me shifra joreale në raport me ta. […] Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar që të vaksinojë 60 përqind të qytetarëve deri në fund të vitit me dy dozat dhe deri më 1 janar 2022 janë vaksinuar vetëm 43,64 përqind me të dy dozat”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka ngritur dyshime se ka doza të tjera të vaksinave që u ka skaduar afati, për çka deklaroi se po e mban të fshehtë Ministria e Shëndetësisë.

“Brenga kryesore e imja është prej datës 24 dhjetor kam kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë për dy çështje. Sa janë dozat e vaksinave në stok dhe sa kanë afat të përdorimit. Sipas informacioneve nga personeli shëndetësor tek Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka doza të tjera të vaksinave që u ka skaduar afati dhe jo vetëm ato 133 mijë doza të vaksinave, por ka doza të tjera që u ka skaduar afati. Dhe Ministria e Shëndetësisë e ka mbajtur të fshehtë si informacion dhe ka doza të tjera të vaksinave që rrezikohet t’u skadojë afati për shkak se nuk ka pasur një distribuim të mirë të tyre”, ka deklaruar Haxhiu në mbledhjen e këtij komisioni.

Haxhiu ka propozuar që të vizitohet vendi ku po mbahen vaksinat.

Edhe deputeti Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërië e Kosovës deklaroi se situata me pandeminë nuk është e mirë.

“Kemi pasur rritje prej 3 deri në 15 përqind për dy javë, në nivel të mostrave të testuar. Por, kemi katërfish rritje në popullatë. Pozitiviteti i mostrave të testuar të personave simptomatikë është 60 deri në 80 përqind. Po ashtu, katërfish është rritur numri për javë. Gjashtë kanë qenë në Klinikën Infektive dhe 22 janë sot. Kur e dimë që i kemi mbi pesë mijë raste aktive, kur e dimë që e kemi shkallën e transmisionit 1 me 8, vërtetë një situatë e tillë implikon domosdoshmërinë e kalimit prej fjalëve në vepra. Deri më sot nuk është duke u vepruar, nuk janë duke u respektuar masat”, ka thënë Dreshaj.

Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, njëherit deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, qeveria ka hequr dorë në menaxhimi i pandemisë.

“Pandemia nuk menaxhohet online, duhet t’i kthehet në mënyrë intensive me një mbikëqyrje të plotë. Ka tre muaj që nuk ka biseduar askush për masat, ka tre muaj që nuk është mbledhur asnjë komitet i veçantë. Kjo duhet të jetë në sinkronizim edhe me pjesën tjetër ekonomike, shëndetësore, tregtisë, industrisë dhe të gjitha. Këto nuk po i shohim, përndryshe do të hyjmë në pasoja të verës”, u shpreh Zemaj.

Gjatë javës së ardhshme në Komisionin për Shëndetësi do të raportojnë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Pikë e rendit të ditës në mbledhje të sotme ka qenë edhe shqyrtimi i draft raportit të monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskutimi për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Por, që në mungesë kuorumi kjo mbledhje ka përfunduar. /TV Malisheva

Share.