Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se marrëveshja e re e kyçjes KOSTT-ENTSO-E nga Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Evropës që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E, është një hap historik për vendin dhe një zhvillim pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë.

Ajo komente i bëri gjatë një takimi me përfaqësuesit e KOSTT, me rastin e zhvillimeve të fundit në lidhje me votimin e marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E.

Me këtë rast, kryetarja Osmani përgëzoi përfaqësuesit e KOSTT për arritjen e jashtëzakonshme dhe për punën profesionale të bërë në këtë drejtim.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e shërbimeve energjetike në vend, do t’i hapë rrugë investimeve të reja në këtë fushë si dhe do të kontribuojë në bashkëpunimin energjetik rajonal. Mirënjohje e veçantë shkon për aleatët ndërkombëtarë, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e në veçanti Qeverisë gjermane dhe KfW, për investimet e rëndësishme në avancimin e rrjetit të transmisionit”, tha Osmani.

Nga ana e përfaqësuesve të KOSTT u ri-konfirmua rëndësia e madhe e marrëveshjes së re për arritjen e pavarësisë energjetike, si dhe u theksua rëndësia e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Në takim, palët trajtuan dhe çështjen e vështirësive me të cilat po ballafaqohet sektori energjetik gjatë periudhës së pandemisë, adresimin e obligimeve dhe çështjeve financiare, si dhe u diskutua mbi implikimet dhe sfidat që rrjedhin nga mungesa e bordit të drejtorëve të KOSTT, në operimin dhe menaxhimin e kompanisë.

Share.