Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, të cilët i ka informuar për hapat që do të ndërmarrë si kryetare e Kuvendit, për mbrojtjen e integritetit të institucionit që ajo drejton, stabilitetit e demokracisë në vend, dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në takimin me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe shefen e BE-së në Kosovë Natalyia Apostolova, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka diskutuar edhe rreth situatës në të cilën ndodhet Kosova si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

“Kryetarja Osmani i njoftoi ambasadorët e vendeve mike të Kosovës dhe atë të BE-së për veprimet të cilat institucionet e Kosovës po i ndërmarrin për kapërcimin e kësaj pandemie. Ajo po ashtu i informoi ata për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e Kuvendit për mbrojtjen e integritetit institucional të Kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetueshmërinë e veprimeve të institucioneve”, thuhet në njoftim.

Osmani, citohet t’u ketë shprehur atyre mirënjohjen e saj dhe Kuvendit, për gatishmërinë e tyre që t’i qëndrojnë afër Kosovës gjatë krizës me pandemi./Tv Malisheva

Share.