Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, është deklaruar me rastin e dyvjetorit të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi i deputetëve pro ndryshimeve ligjore i hapën rrugë transformimit të FSK-së, në ushtri të shtetit dhe me ç’rast u themelua edhe Ministria e Mbrojtjes.

“Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

Dy vjet më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.

Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenarë dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët. Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të suksesshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës.

Share.