Qytetarët ankohen se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk po u bëhen testet për COVID-19 edhe kur ata paraqesin dëshmi se ai vërtetim u duhet për të udhëtuar jashtë vendit për shërim. Por edhe kur u bëhen nuk pajisen me vërtetime, që është kusht për të hyrë në Maqedoninë Veriore.

Medinë Budakova është kujdestare e pacientes Arjanita Dreni, e cila thotë se i duhet të shkojë në një spital privat në Shkup për t’u operuar për largim të protezës në këmbë.

Ndonëse Budakova dhe Dreni janë testuar të shtunën për COVID-19, sot gjatë ditës atyre nuk i janë dhënë vërtetimet nga IKSHPK-ja.

Budakova thotë se pacientes Dreni do t’i humbë edhe termini i dytë për shkak të papërgjegjësisë së IKSHPK-së për t’ia dhënë vërtetimin për koronavirus.

Medinë Budakova, kujdestare e Arjanita Dreni,

Budakova: I dyti termin që i humb për shkak të testit të COVID-19

“Vitin e kaluar është operuar protezë mbipolare në kukë, ku është operimi total gabim dhe kërkohet prej 5 mjekëve nënshkrim t’i hiqet proteza mbipolare, ku nuk merret askush, është ankesë edhe në Ministri. E kanë lënë një vit të plotë në gjendje kritike në morfinë, trodon, dhe nuk e marrin parasysh. Kur me mundësitë tona e bëmë të pamundurën për një rezonancë, tash i dyti termin që i humb për shkak të testit të COVID-19”, thotë ajo.

Ajo ka adresuar kritika se përkundër gjendjes së vështirë në të cilën gjendet Arjanita Dreni, nga institucionet shëndetësore nuk po iu mundësohet trajtimi.

Budakova: Na kanë thënë të hënën vini, sot na thonë nuk është bërë andej këndej

“Na kanë thënë që të hënën kysmet vini, ku i kemi thirr sot në mëngjes kanë thënë pas 2, pas 2 thonë nuk është bërë andej këndej, ne ju themi qysh është rasti po pritet për vdekje, është një gjë që e dinë të gjithë ministria. Iu ka qelb krejt këmba, protezën që duhet patjetër me e heq dhe nuk e bëjnë këtë mundësi, nuk dina çka me bë as ku me u orientu…Që një muaj është e shtrirë në spital ku tash e ka CRP infeksionin shumë të lartë, ku ju kanë marrë krejt sytë, ju kanë qelb krejt ana e syve, ajo humbjen e këmbës e ka veç dita ditës. Është duke kaluar në morfinë, trodon është”, thotë ajo.

Ndërsa, qytetari Sahit Muharremaj, nga komuna e Suharekës e që jeton në Gjermani, thotë se pas ardhjes në Kosovë i është keqësuar gjendja pasi që ka probleme me zemër.

Atij i është propozuar që të bëjë një kontroll në një spital privat në Shkup, por që nuk po arrin të testohej për COVID-19, vërtetim të cilin e kërkon Maqedonia e Veriut për të hyrë në territorin e saj.

Sahit Muharremaj, qytetar

Muharremaj: Kam ladruar që 48 orë

“Kam ladruar që 48 orë për test, kam shkuar në Prizren, më kanë thënë shko në Suharekë, kam shkuar në Suharekë më kanë thënë shko në kufi i ki dokumentet jam sëmurë, kam problem me zemër. Kur kam shkuar në kufi më kanë thënë nuk ka mundësi edhe që je sëmurë shko në Institut në Prishtinë, kam ardhur këtu jam t’u prit që dy orë më thanë nuk ka teste një herë, pastaj më thanë hajde mbas një ore, kam ardhur mbas një ore nuk ka kurrgjë”, thotë ai.

Ai thotë se në Institut i është thënë se nuk i bëhet testi pa pasur simptoma të COVID-19.

Muharremaj: Pa e pas koronavirusin nuk mundemi me të bë test,

“Pa e pas koronavirusin nuk mundemi me të bë test, po qysh more pa e pas koronavirusin. Unë kam fakte, po dua me shkua për Shkup me bë kontroll, që ku i kam me emër me mbiemër, me dokumente me krejt. Kjo qeveria jonë kuku për këta dhe për popullin”, thotë ai.

Ai ka një apel për të gjithë bashkatdhetarët, ku thotë se të mos ia mësyjnë Kosovës pasi që gjendja nuk është siç paraqitet në media.

Muharremaj: I apeloj prej ditës së sotme bashkatdhetarët çka janë atje le të kenë shumë kujdes

“I apeloj prej ditës së sotme bashkatdhetarët çka janë atje le të kenë shumë, shumë kujdes për me ardhë në vendlindje. Kanë qejf çdo kurbetçi me ardhë me pa familjen e vet se e donë tokën e vet, po i apeloj kini kujdes shumë, nuk është ajo kënga që po këndohet në televizor. Kjo qeveria jonë, ky shteti jonë, mozomakeq për popullin tonë, nuk e di çka janë t’u bë, iu ka humbë rruga në oborr”, tha ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, thotë se teste u bëhet vetëm atyre që paraqesin vërtetim se do të shkojnë për trajtim mjekësor.

“Personat që shkojnë për trajtim mjekësor jashtë vendit edhe shoqëruesve të tyre iu bëhet testi në Institut dhe janë dy kategori të cilat janë prioritet, që këtyre që shkojnë për turizëm dhe për gjëra të tjera nuk iu bëhet. Nuk e di që ka ndonjë telashe, krejt çka duhet është që familjarët duhet kur të bëjnë kërkesë për me u bë testimi me e pas një vërtetim ose një kërkesë prej mjekut që e ka ordinua për me shkua jashtë, një vërtetim që e dëshmon që ka me shkua për trajtim mjekësor jashtë dhe kuptohet për familjarin dokumentet që e përcaktojnë lidhjen e tyre familjare”, tha ai përmes telefonit.

Ai tha se personat që rezultojnë pozitiv informohen nga Instituti që të izolohen, por personat negativ lajmërohen pak më vonë për shkak të vëllimit të punës.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ditë më parë vendosi që qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të paraqesin test PCR negativ nëse duan të hyjnë në vend, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19./Tv Malisheva

 

Share.