Një ditë pas konfirmimit për vazhdimin e procesit të dialogut në Uashington, presidenti Hashim Thaçi ka siguruar se sovraniteti territorial i Kosovës nuk do të cenohet nga askush.

Ndonëse nuk bëri të ditur se në takimin me palën serbe më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë mund të kthehet me nënshkrimin e marrëveshjes finale, ai bëri thirrje të ndalen dezinformatat për shkëmbimin e territoreve.

I pari i shtetit, në konferencën për media, u shpreh i bindur se në këtë proces do të ketë bashkëpunim dhe koordinim mes SHBA-së dhe BE-së, teksa kërkoi sërish unitet dhe bashkim të spektrit politik në Kosovë.

Thaçi: Nuk pretendohet në Uashington të cenohet integriteti territorial

“Për neve edhe baza dhe abc-ja e veprimit, angazhimit dhe vendimmarrjes do të jetë respektimi i Kushtetutës së vendit tonë. Prandaj e theksoj edhe një herë në mënyrë shumë të hapur dhe transparente. Në asnjë rrethanë nuk pretendohet nga askush në Uashington të cenojë integritetin territorial, ftojmë të gjithë të mos përhapin dezinformata për shkëmbim territoresh, apo diçka. As nuk do të ketë cenim të integritetit territorial dhe në asnjë rrethanë diskutim për integritetin e shtetit të Kosovës”, tha ai.

Thaçi shprehu gatishmërinë për rifillimin e dialogut, pasi sipas tij Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Thaçi: Kosova nuk ka kohë për të humbur

“Kosova nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për shtangim, as për hezitim, duhet të lëvizin sa më shpejt drejt perspektivës, të jemi pjesë e organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe BE-së. Këtë synim dhe vullnet të qytetarëve të Kosovës dhe vizionit politik të institucioneve tona mund të realizojmë vetëm me besim e partneritet të palëkundur në raport me SHBA-të, shtetet e NATO-s dhe BE-së”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, presidenti Thaçi tha se dialogu do të jetë në udhëheqjen e SHBA-së, por kjo sipas tij nuk e ndalon koordinimin dhe bashkëpunimin me BE-në.

Thaci: SHBA dhe BE do të kenë qasje koordinuese dhe plotësuese për dialogun

“SHBA-të dhe BE-ja janë partner, aleat nuk na takon neve të pretendojmë të interferojmë. Por jam i bindur që do të ketë një qasje koordinuese dhe plotësuese me njëra tjetrën. Synimi i tyre është që të ketë paqe, progres dhe zhvillim ekonomik dhe forcim të frymës euroatlantike për Ballkanin Perëndimor. Kësaj radhe SHBA ka marrë rolin udhëheqës që ne e përshëndetim”, tha ai.

Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bëri të ditur se më 27 qershor në Uashington do të ketë takim mes përfaqësuesve të dyja shteteve./ Tv Malisheva

Share.