Qendra për Drejtësi Tranzicionale- SENSE, në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kanë organizuar para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, shfaqjen e ekspozitës multimediale “Gjenocidi në tetë akte”.

Në këtë ekspozitë janë shfaqur 8 filma dokumentarë përmes së cilëve është treguar gjenocidi i ndodhur në Srebrenicë 25 vjet më parë.

Tarik Musiq, menaxher i Qendrës Kulturore Informative Boshnjake në Prishtinë tha se kësaj kampanje që nisi në Kroaci e u zgjeruar në të gjitha vendet fqinjë, i janë bashkëngjitur 15 organizata joqeveritare.

Musiq: Shfaqen 8 filma dokumentarë që tregojnë se çka ka ndodhur në Srebrenicë

“Është një ekspozitë multimediale që shfaqen 8 filma dokumentarë që tregojnë se çka ka ndodhur në Srebrenicë, xhirime prej Gjykatës së Hagës. Kjo ekspozitë do të zgjatë deri në ora 20:00. Ndërsa në ora 20:00 do të ndezim qira. Këtë organizim është duke e bërë Fondi për të Drejtat Humanitare, dhe Qendra Informative Boshnjake. I jemi bashkuar kampanjës prej Kroacisë, ku rreth 15 organizata joqeveritare që kanë shënuar edhe në shtetet tjera fqinjë”- tha ai për KP.

Musiq thotë se një organizim kaq i madh dhe dinjitoz po ndodh për herë të parë në Kosovë, me ç’rast falenderoi të gjithë për kontributin e dhënë në shënimin e Ditës së Gjenocidit serb në Srebrenicë.

Musiq: Është hera e parë që një organizimi kaq të madh i bashkëngjitet edhe Kosova

“Është hera e parë që një organizimi kaq të madh edhe Kosova i bashkëngjitet solidaritetit për shënimin e ditës së gjenocidit që ka ndodhur në Srebrenicë. Unë i falënderoj të gjitha organizatat që na kanë ndihmuar dhe po ashtu edhe vullnetarëve që kanë qenë pjesë e këtij organizimi”- tha ai.

Po ashtu në kujtim të viktimave të Srebrenicsë, gjatë ditës,SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizuan transmetimin live të ceremonisë komemorative në Srebrenicë., si dhe u mbajt një ligjëratë “25 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë” me ligjërues Akademik Ferid Muhić./Tv Malisheva

 

Share.