Parlamentarët suedezë kanë kërkuar rivendosjen e sanksioneve kundër Rusisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Propozimi është bërë nga deputetët e Partisë së Qendrës dhe anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme, Kerstin Lundgren dhe Magnus Ek.
Kjo kërkesë bazohet në injorimin që Moska zyrtare ua bënë vendimeve të marra të Këshillit të Evropës dhe institucioneve tjera ndërkombëtare.
Sanksionet kundër Rusisë ishin vënë në vitin 2014, si kundërpërgjigje ndaj mbështetjes së Rusisë për kryengritësit në Ukrainën Lindore dhe okupimit të Krimesë. Këto sanksione ia privonin të drejtën e votës delegacionit rus në Asamblenë Parlamentari të Këshillit të Evropës.
Në qershor të vitit 2019, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte miratuar një rezolutë ku kërkohej që delegacionit rus t’i ktheheshin autorizimet e plota, gjersa më 29 janar 2020 të gjitha të drejtat iu kthyen delegacionit rus.
Kujtojmë se gjatë kësaj kohe kur Rusia përballej ende me sanksione nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kishte tentuar që ta “kontrabandonte” europarlamentarin rus, Aleksei Kondratiev si raportues për Kosovën, gjë e cila ngriti reaksione të mëdha në Kosovë.
Kondratiev ishte pjesë e kontingjentit rus në kuadër të KFOR-it, kurse pas një ngatërresë në një lokal nate në Prishtinë, ishte plagosur në përpjekje për ta rrëmbyer një femër, kishte raportuar Televizioni i Kosovës dhe e përditshmja gjermane BILD. Më pas, pozitën e raportuesit për Kosovën e mori eurodeputeti gjerman Peter Bajer./ Tv Malisheva