Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është akuzuar padrejtësisht për përfitime të paligjshme në procesin e privatizimit, dhe sipas tyre, akuzat kanë ardhur nga ata që e kanë shfrytëzuar këtë proces për interesa të tyre. Deputetët e PDK-së, që kishin iniciuar themelimin e komisionit hetimor për procesin e privatizimit, kanë thënë se do të nxjerrnin me emër dhe mbiemër të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat publike në Kosovë.
Deputeti Sejdi Hoxha ka thënë se këtë proces e kanë nisur me qëllim të zbardhjes së rasteve të keqpërdorimeve të mundshme që mund të kenë ndodhur me procesin e privatizimit.
Hoxha: Privatizuesit më të mëdhenj janë ata që kanë kritikuar
“Ky komision do të bëj çmos që të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe gjatë punës që do të bëjë, do të publikohen me emër dhe mbiemër të gjithë ata persona apo grupe interesi të cilët kanë përfituar jashtëligjshëm apo kanë abuzuar me pronën e shtetit. Jemi të bindur që opinion publik ka për t’u befasuar kur të zbulojë se privatizuesit më të mëdhenj të ndërmarrjeve publike apo shoqërore janë pikërisht ata persona që kanë kritikuar në publik më së shumti procesin e privatizimin. Pra përmes kritikës janë mundur të fshehin abuzimet e tyre”, tha ai.
Ndërsa, deputeti gazmend Bytyqi tha se synojnë t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë bërë keqpërdorime.
Bytyqi: Do të zbardhim procesin e privatizimit
“Përmes këtij komisioni synon të zbardhë të gjithë këtë proces të privatiz9mit, një proces tejet të rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e shoqërisë që nga paslufta e tutje. Gjithashtu përmes këtij komisioni ne tentojmë të zbardhim apo të hetojmë cilindo keqpërdorim, me pronën, asetet tona dhe t’i nxjerrim para përgjegjësisë individë të caktuar, grupe të fuqishme apo partitë politike. Do ta zbardhim secilin detaj që do të jetë në interes për qytetarët por edhe institucionet e vendit. E gjitha këto keqpërdorime do të tentojmë t’i përmbyllim me raport që pastaj do të jetë pjesë e organeve të drejtësisë” tha ai.
E Hoxha foli edhe për listën e dëshmitarëve ku theksoi se PDK do t’i propozojë komisionit që të rritet lista e dëshmitarëve.
Hoxha: PDK do t’i propozojë komisionit që të rritet lista e dëshmitarëve
“Komisioni ka hetuar listën e dëshmitarëve në të cilën janë përfshirë ish-ministra të cilët sipas detyrës zyrtare kanë qenë edhe pjesë e privatizimit, gjithashtu pjesë e intervistimit do të jenë edhe drejtorët dhe kryetrarët e bordeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe përfaqësues nga UNMIK-u të cilët në atë kohë kanë udhëhequr me AKP-në. Tani vetëm kemi filluar me fazën e intervistimit të dëshmitarëve, për të qenë sa më të saktë, të plotë, si PDK do të propozojmë komisionit që lista e dëshmitarëve të rritet në mënyrë që të kemi sa më shumë informata rreth këtij procesi. PDK do t’i propozojë komisionit hetimor që në listën e dëshmitarëve të përfshihen edhe ish kryetari i bordit të AKM-së, Andy Bearpark dhe drejtorët menaxhues, Herbert Schmidt, Yergen Mendricki dhe Jasper Dick”, tha ai.
Në këtë konferencë u tha se së shpejti do të prezantojnë edhe dëshmitarë të tjerë vendor të cilët mund të sjellin informacione për procesi ne privatizimit në Kosovë.