Pas rezultatit të zgjedhjeve lokale, partitë në Maqedoninë Veriore kanë filluar t’i bëjnë llogaritë politike për koalicione.
VMRO-DPMNE është e vendosur – nuk ka koalicion me BDI-në. Nga ana tjetër, LSDM paralajmëron zgjerimin e shumicës parlamentare, por nuk jep detaje se kush do t’i bashkohej. Si Aleanca për Shqiptarët ashtu edhe Alternativa po përllogariten me një mazhorancë të re, e cila sipas tyre do të bëhet realitet pas verifikimit zyrtar të rezultateve.
BDI është e bindur se nuk do të ketë mazhorancë të re dhe as nuk mund të ketë qeveri të re pa to. Këto qëndrime palët i shprehën përmes përfaqësuesve të tyre gjatë debatit zgjedhor në Alsat. Zaev mbrëmë tha se mazhoranca është stabile, madje edhe me mundësi zgjerimi.
Ndërkohë, kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski tha se qytetarët e kishin delegjitimuar qeverinë. Mickoski vlerëson se zgjidhja më e mirë në këtë situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Si Zaev ashtu edhe Mickoski fajësuan njëri-tjetrin për parregullsi zgjedhore. Zaev tha se opozita fitoi falë parave të zeza dhe të ardhurave nga jashtë, ndërsa Mickoski tha se zgjedhjet janë mbajtur nën presion dhe kërcënime të pushtetarëve.
Nga zgjedhjet lokale të 17 dhe 31 tetorit, VMRO-DPMNE dhe Koalicioni për Rindërtim të Maqedonisë fituan 42 komuna, ndërsa LSDM 16. Socialdemokratët humbën bastionin e mëparshëm, Kumanovën nga kandidati i pavarur Maksim Dimitrievski. Stevço Jakimovski nga GROM-i, pas një pauze mandati, sërish do të qeverisë Karposhin, ndërsa LDP-ja dhe DOM-ja fituan Suto Orizarin me Kurto Dudushin. Kandidati i pavarur Zoran Nogaçeski fitoi në Bërvenicë./AlsatM /TV Malisheva