Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci në seancën plenare e cila ende është duke vazhduar, i është kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së Besa Gaxherit lidhur me donacionet e Serbisë.
Nagavci i tha Gaxherit se Kosova tash ka një zëvendëskryeministër nga radhët e Listës Serbe, i cili mund të japë shpjegime se ku kanë shkuar donacionet e ardhura nga Serbia.
Nagavci: E keni zëvendëskryeministrin që tregon se nga shkuan donacionet e Serbisë
“E kemi edhe një zëvendëskryeministër tani nga Lista Serbe, i cili iu ndihmon sigurisht të kuptoni se ku kanë shkuar ato”, tha ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili këshilloi Nagavcin që derisa ta kryesojë seancën, të mos komentojë diskutimet e deputetëve.
Gashi: Nagavci të këshilloj që është e patolerueshme t’i komentoni diskutimet e deputetëve
“Zonja Nagavci në formë të këshillës për ju si kryesuese e seancës është e patolerueshme t’i komentoni diskutimet e deputetëve, pra nuk preferohet kryesuesi i seancës të komentojë diskutimet individuale të deputetëve, mund të marrësh fjalën për të diskutuar me replika dhe kundër replika, por jo prej pozitës si udhëheqës e seancës, andaj miqësisht të këshilloj të mos i përdorësh më”, tha Gashi.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se për shkak të pandemisë kanë kërkuar mirëkuptim që foltorja të mos shfrytëzohet nga shumë deputetë, andaj sipas saj secili kryesues mund të kërkoj replikë nga vendi.
Osmani: Secili kryesues në këto rrethana të flasë nga vendi
“Një rregull për të cilin jemi pajtuar që të gjithë që nga fillimi i këtyre rrethanave është që të tentojmë të flasim nga vendi në mënyrë që kjo foltore mos të shfrytëzohet nga shumë njerëz. Në seancat e kaluara kam kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe e kam pasur që edhe unë të flas nga vendi, në mënyrë që të mos shfrytëzohet foltorja, por në rregullat e njëjta sikur deputetët të tjerë, pra edhe unë edhe secili kryesues i seancës kur kërkojmë replikë sipas rregullores së Kuvendit”, tha Osmani.
Seanca plenare, e cila ka nisur pas orës 10:00, pikë diskutimi ka formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.
Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për 2020 dhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare./Tv Malisheva