Policia e Kosovës, sipas planit operacional vazhdon angazhimet e saja me kapacitetet të plota me orar 12 orësh, në implementim dhe zbatim të planit antiCOVID.
Qëllimi primar i Policisë së Kosovës është parandalimi i përhapjes së pandemisë dhe zbatimi i masave të cilat ndikojnë në interesin e shëndetit publik. Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja shtrënguese për të frenuar përhapjen e COVID-19. Kështu, kthehet ora policore për të gjithë qytetarët që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00. Maska është e detyrueshme gjithandej, përveç në tri raste: gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike dhe; gjatë ngrënies apo pijes. Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet. Me masat e reja, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve. Ndërsa në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë. Po ashtu, ndalohen shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kosova dje ka shënuar 20 viktima nga COVID-19./TV Malisheva
|