Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj gjatë raportimit sot në Komisionin për Siguri lidhur me menaxhimin e situatës së sigurisë në Kosovë gjatë pandemisë globale COVID-19, theksoi se pengesë kryesore për policinë ka qenë ligji adekuat për trajtimin e pandemisë.

Drejtori Qalaj ka theksuar në komision se tubimi për përgatitje të protestës në shesh nuk ka qenë i lajmëruar në Policinë e Kosovës, derisa ka theksoi se sipas prokurorisë nuk është vepër penale dhe për këtë arsye nuk është hapur si rast.

Ndërsa, për hetimin ndaj dy zyrtarëve të Policisë që nuk respektuan vendimet e Qeverisë gjatë pandemisë, theksoi se ende hetimet janë në fazën fillestare.

Drejtori i Policisë ka folur edhe për rastin e vdekjes së të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve që shërben si karantinë, ku tha se çështja është e ndjeshme dhe kërkon trajtim profesional.

Qalaj: Rasti tragjik në QS kërkon hetim profesional

“Njëra ndër vështirësitë kryesore ka qenë mosekzistimi i një ligji i cili do t’i kishte trajtuar thyerjet e kufizimeve të ndryshme në aspektin kundërvajtës, pasi që ne i kemi trajtuar vetëm në aspektin penal. (A është diskutuar sot në Komision rasti i deputetit Pacolli?) Po është diskutuar rasti i Pacolli, dhe po ashtu kam dhënë përgjigjen time sa i përket pikëpamjeve të policisë lidhur me këtë rast. (Për rastin e Agon Musliu i cili humbi jetën në QS?) Kemi diskutuar për Qendrën e Studentëve që është shfrytëzuar si karantinë, dhe aspektin e rolit të Policisë. Unë i njoftova deputetët për rolin e policisë, ndërsa sa i përket çështjes tragjike që ka ndodhur është duke u hetuar dhe nuk kam mandate që ta flas për momentin. Është çështje e vlerësimit të prokurorit, mirëpo është çështje që është duke u hetuar në vazhdimësi, e cila është një çështje e ndjeshme që kërkon një trajtim shumë më profesional”, theksoi Qalaj.

Ndërsa, anëtarja e komisionit nga PDK, Ganimet Musliu, theksoi se në këtë mbledhje kishte ngritur disa çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, e një ndër to edhe për rastin e përgatitjes për protestë në sheshin e Prishtinës.

Musliu: Ka qenë shqetësuese pjesëmarrja e afër 400 vetave për protestë

“Një nga çështjet që sot e kam ngritë në Komision ka qenë edhe suspendimi i policit i cili dje fyeu rëndë trevën e Drenicës. Një individ i tillë me një mendësi ët tillë, dëmin më të madhin ia shkakton policisë së Kosovës, prandaj personat e tillë nuk duhet të kenë vend në institucionet e ndjeshme siç është Polica e Kosovës. Po ashtu, kërkova sqarime nga drejtori i policisë lidhur me mos reagimin e policisë në paradën apo përgatitjen e për protestë dhe për mua ka qenë shqetësuese pjesëmarrja e afër 400 vetave në sheshin e Prishtinës, kërkuam sqarime përse nuk është reagua, gjithashtu, kërkuam sqarime për numrin e madh të policëve në Postën e Kosovës ditën kur është shkarkuar dikush nga Bordi”, theksoi Musliu.

Ndërsa, kryetarja e komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se pozitë dhe opozitë kanë vlerësuar lartë punën e Policisë së Kosovës gjatë kohës së pandemisë.

Ajo tha se ishte një takim shumë produktiv, derisa foli edhe për përgatitjet e protestës që u zhvilluan ditë më parë në Prishtinë, e që tha se janë respektuar masat mbrojtëse.

Mullhaxha: Janë respektuar masat mbrojtëse, por që nuk kanë pasur leje qytetarët

“Vet deputetët e kuvendit kanë qenë të parët që nuk i kanë respektuar masat që është dashur, prandaj, ajo çfarë deklaroi Qalaj, në total ishte se është menaxhuar shumë suksesshëm. Sa i përket asaj që quajti konstilacion për qytetarët, nuk ka qenë protestë. Megjithatë, ai vet deklaroi se janë respektuar masat mbrojtëse dhe distanca. Nuk ka pasur leje, ata e kanë konsideruar, që meqenëse nuk ka qenë protestë dhe nuk ka qenë thyerje e masave”, theksoi Mullhaxha. /Tv Malisheva

Share.