Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi po qëndron pranë shtëpisë se Jakup Krasniqit në Negroc të Drenasit, bashkë me veteranë të tjerë, të cilët po e kundërshtojnë bastisjen e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty, Qeriqi tha se zyrtarët e Gjykatës Speciale po bashkëpunojnë me kriminelë të Serbisë dhe padrejtësisht po arrestojnë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Qeriqi: Këta zyrtarë që po bastisin shtëpinë janë bashkëpunëtorë të kriminelëve serbë

“Sepse këta zyrtarë që po bastisin këtu dhe zyrtarët e Gjykatës Speciale janë duke bashkëpunuar me kriminelët serbë të cilët kanë kryer krime. I kemi edhe këtu afër dhe padrejtësisht po merren me luftëtarët e UÇK-së”, tha Qeriqi.

Policia e EULEX-it po qëndron në oborrin e shtëpisë se ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Negroc të Drenasit, por nuk ka informacione se a ka filluar bastisja në këtë shtëpi.

Qeriqi tha se nuk kanë informacione rreth kësaj.

Qeriqi: Familjarët e Krasniqit janë të izoluar

“Këtu brenda familjarët e tjerë të zotit Krasniqi janë të izoluar, nuk kemi informata të tjera se a ka filluar bastisja”, derisa shtoi se nuk kanë informata nëse do të ketë bastisje në shtëpitë e ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Qeriqi tha se janë të shqetësuar me zhvillimet rreth bastisjeve qe po i bën Specialja.

Qeriqi: Veprimet e EULEX të padrejta ndaj Krasniqit kur dihet edhe historia e tij

“Për ne janë veprime të padrejta sidomos ndaj figurës së zotit Jakup Krasniqi kur e dimë historinë e tij, e dimë sa ka bërë ai për vendin, qoftë para luftës qoftë kontributet e tij në luftë, dhe kështu te shqetësuar kemi ardh me pa nga afër e çka po ndodh këtu”, tha ai.

Ai shtoi se janë në kontakt me OVL-UÇK dhe do të shohin si të veprojnë tutje, pas këtyre zhvillimeve.

Hetuesit e Speciales kanë nisur sot operacionin në shtëpitë e Jakup Krasniqit, në Prishtinë dhe në fshatin e tij të lindjes.

Derisa në Prishtinë po kryhet bastisja, në Negroc janë mbyllur dyert e oborrit dhe nuk ka ndonjë informacion se a është futur EULEX-it brenda në shtëpi.

Gjatë ditës, avokati i Jakup Krasniqit ka konfirmuar për KosovaPress se ish-zëdhënësi i UÇK-se pritet të dërgohet në Hagë.

Share.