Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë subvencion prej 3.5 milionë euro për Trepçën, në mënyrë që kjo e fundit t’i paguajë obligimet dhe pagat e punëtorëve, ndërsa po i bënë përgatitjet që terminali doganor, i cili ka qenë në pronësi të Trepçës nga 2002 deri 2013, t’i kthehet serish asaj dhe të sigurojë të hyra për ndërmarrjen.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë vizitës së tij menaxhmentit dhe Bordit të Trepçës sot në Mitrovicë.
Sipas tij, Trepçës duhet kthyer shkëlqimi i saj ekonomik dhe zhvillimor, në mënyrë ajo të mos varet nga qeveria, por e gjithë Kosova të varet nga Trepça.
Kurti: Isha këtu për t’i dhënë dy lajme të mira Trepçës
“Unë isha këtu bashkë me dy ministrat për t’u dhënë dy lajme të mira Trepçës, edhe për injeksionin financiar në formë subvencioni në vlerë mbi 3.5 milionë euro, por njëkohësisht edhe për iniciativën që në Trepçë të kthejmë terminalin doganor…T’ia kthejmë Trepçës si krenari kombëtare shkëlqimin e saj ekonomik dhe zhvillimor, në mënyrë që Trepça të mos varet nga qeveria, por e gjithë Kosova të varet nga Trepça, e cila do të përparojë duke rritur prodhimin dhe produktivitetin”, ka thënë Kurti.
Duke shprehur dëshirën që në të ardhme në Trepçë të shtohet prodhimi, por njëkohësisht edhe produktiviteti, Kurti theksoi se bashkëndjen me menaxhmentin e Trepçës për shkak të rënies së çmimeve të metaleve në bursën botërore, si pasojë e pandemisë me COVID-19.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së menaxherit të Trepçës, Hysen Vrajolli, duke falënderuar kryeministrin në detyrë Kurti për mbështetjen e madhe, tha se investimin e qeverisë Trepça do ta kthejë me produktivitet dhe rritje të prodhimit.
Vrajolli: Investimet e Qeverisë do t’i kthejmë në rritje të prodhimit
“Ne jemi të gatshëm që këtë përkrahje dhe investim që e bënë Qeveria e Kosovës ta kthejmë me produktivitet dhe rritje të prodhimit,” tha Vrajolli./Tv Malisheva