Ish-drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama nuk po pajtohet me vendimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut për shkarkimin e tij.

Rama ka dorëzuar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës edhe pse ky këshill nuk është funksional.

Kjo është ankesa e plotë e Ramës:

Nga: Rrahim Rama, Drejtor ˡ i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS)

Bëhet ankesa ndaj vendimit të komisionit të iniciuar nga Ministrja Albulena Haxhiu për ndërprerje të marrëdhënies së punës

Dje, me datë 18 Maj 2020, e kam dorëzuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, ankesën time ndaj Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Komisionit Disiplinor të qeverisë për Pozita të Larta Drejtuese, i cili në fillim të këtij muaji ndërmori vendim të padrejtë për të më ndërprerë marrëdhënien e punës në AAPKS.

Ankesa ime ka të bëjë me vendimin krejtësisht politik dhe arbitrar të këtij komisioni, të iniciuar dhe dominuar gjatë tërë kohës nga ministrja e drejtësisë Zonja Albulena Haxhiu, për të shqiptuar ndaj meje masën disiplinore me datën 05 Maj 2020 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Në ankesën time (të cilën e gjeni të ngjitur në formatin PDF në këtë e-mail) do të gjeni krejt argumentet e mia ligjore e profesionale ndaj masës jo të drejtë të këtij komisioni dhe ministres Haxhiu, i cili po ashtu ka bërë edhe shkelje procedurale dhe kundër-ligjore gjatë tërë kohës deri sa është marrë vendimi në fjalë.

Ky vendim është ndërmarrë me supozime dhe pretendime krejtësisht të pabazuara dhe ai në thelb përbënë një ndërhyrje arbitrare dhe ilegale të ministres ndaj agjencisë të cilën e kemi ndërtuar me ndihmën e vazhdueshme nga qeveria e SHBA-së, e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që nga fillimi (viti 2011) dhe e kemi forcuar dhe profesionalizuar punën e saj vazhdimisht, e deri më sot, për zbatimin e vendimeve të gjykatave të Kosovës në betejën kundër krimit të organizuar në vendin tonë dhe në rajon.

Prandaj, siç edhe mund të shihet në ankesën time, kam kërkuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës që vendimi i Komisionit të Albulena Haxhiut të anulohet.

Njoftimin për ankesën pranë këshillit në fjalë, ia kam drejtuar sot edhe Ministrisë së Drejtësisë. (shih ngjitur në e-mail) e po ashtu edhe kërkesën për pezullimin e vendimit të Komisionit të datës 05 Maj 2020 deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil./ Tv Malisheva

Share.