Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në emisionin Rubikon të Klan Kosovës ka folur rreth propozim-aktakuzës të Gjykatës Speciale në Hagë kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veselit për kinse krime lufte.
Ai ka thënë se teksti i propozim-aktakuzës është skandal dhe supozon se si do të gjykohen Thaçi dhe Veseli.
“Në këtë tekst sikur flitet jo për dy nismëtarë të luftës çlirimtare së një vendi që ishte viktimë e një agresioni, po sikur të flitet për një pjesëtarët e një klike agresore. Kjo më ka tronditur. Si mund të flitet për të vrarët për shuma të përgjithshme? Flitet për obstruksion ose përpjekje për pengim të punës së speciales që është një hata në vete, pasi unë jam dëshmitar i disa bisedimeve që kam zhvilluar me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe e kam zhvilluar këtë bashkëbisedim në Prishtinë, kur diskutohej futja në rendin e ditës e votimit të Speciales dhe e di shumë mirë që të dy udhëheqësit në fjalë, ishin absolutisht pa rezervë për ta mbështetur këtë nismë që vinte nga jashtë. Nëse nuk do të kishte vullnet, ajo nuk do të kalonte”, ka thënë Rama./ Tv Malisheva