Sot në Bruksel është zhvilluar takimi në nivel ekspertësh, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, që më 4 shtator palët do të kenë një takim edhe në Uashington.

E pjesë e delegacionit do të jetë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar ministri i drejtësisë, Selim Selimi.

Selimi ka thënë se është propozuar nga AAK-ja që të jetë pjesë e ekipit për dialog, mirëpo kjo pritet të caktohet nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Selimi: Kryeministri vendos kush do të jetë pjesë e delegacionit

“Siç e dini nga AAK-ja jam i caktuar që të jem pjesë e ekipit për dialog. Listën apo personat, apo delegacionin i cili udhëton në Amerikë, më 4 shtator e cakton kryeministri Hoti, ne presim ose sot gjatë ditës ose të nesërmen të na lajmëroj se kush do të jetë pjesë e këtij delegacioni, kush do të marrë pjesë në takim dhe kush do të jetë pjesë e delegacionit që e shoqëron kryeministrin Hoti atje”, ka thënë Selimi.

Selimi ka deklaruar se qëllimi është që sa me shpejtë të ketë një marrëveshje përfundimtarë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Selimi: Marrëveshja që synojnë është njohja reciproke në kufijtë ekzistues

“Ne kemi pasur një paralajmërim që do të ketë tema të zhvillimit ekonomik por delegacioni i Kosovës i ka pozicionet e përgatitura në çështjet të cilat do të diskutohen me Serbinë. Qëllimi i yni është që sa më shpejtë ta kemi një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, ky është pozicioni jonë, çështje të cilat e sjellin këtë marrëveshje e cila ne synojmë. Ne nga ekspert të ndryshëm, edhe nga qeveritë e kaluara, por edhe nga kjo qeveri, i kemi ato pozicionet e përgatitura”, ka thënë Selimi.

Selimi ka thënë se nuk mund të hyjë në detaje të këtyre pozicioneve por siguron që delegacioni i Kosovës është i përgatitur, pasi që është një armatë e tërë ekspertësh dhe shërbyesish civil të cilët kanë kontribuar në përgatitjen e pozicioneve të cilat do t’i ketë Kosova karshi Serbisë. /TV Malisheva

Share.