Qeveria e Kosovës do të adresojë gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese pas shfuqizimit të Ligjit për Paga nga kjo e fundit.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri në një konferencë për media tha se aty ku Kushtetuesja ka sugjeruar për korrigjim do të veprojnë në të gjitha kategoritë dhe ku rekomandohet për largim të dispozitave do të veprojnë.

“Çka do që nuk kontestohet si çështje nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të trajtohet si e tillë dhe do të mbetet. Por do të shikohet për kategoritë veç e veç dhe aty ku ka rekomandime për korrigjim, ne menjëherë do të nisim, e po ashtu dhe rekomandimet ku kërkohet të largohet ndonjë dispozitë”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për pagat më 30 qershor, pasi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti. Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë. /Tv Malisheva

Share.