Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian Kushtrim Cukaj është shkarkuar sot nga Qeveria në detyrë e Kosovës për siç thuhet shkelje të rënda dhe të shumta të detyrave të punës.

Shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me keqadministrimin në lidhje me kontratat e lobimit, kontratat mbi qiradhënien e objektit për MIE dhe kontratat për marrëveshje të veçanta të shërbimeve në administratën e institucionit; shkaktimin e dëmit financiar ndaj MIE-së, sipas Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues në Shërbimin Civil të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, Cukaj thuhet se nuk ka përfillur obligimet që burojnë nga marrëveshja ndërkombëtare nga projekti Skema Profesionistët e Rinj, ka bërë shkeljen e Kodit të Mirësjelljes në Shërbimin Civil, marrjen e masave disiplinore në mënyrë të jashtëligjshme ndaj stafit të MIE-së, mos-kryerjen e obligimeve për vlerësimin e rregullt vjetor sipas procedurave ligjore, komunikimin joprofesional në raport me partnerët e jashtëm, si dhe refuzimin për të zbatuar vendimin administrativ të formës së prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Share.